Punëtorët, protestë kunër privatizimit të PTK-së
Prishtinë, 26 korrik - Qindra punëtorë nga Posta dhe Telekomi i Kosovës të organizuar nga sindikata e kësaj ndërmarrje, kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që edhe ata të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë për privatizimin e PTK-së.
Punonjësit e PTK-së janë mbledhur para ndërtesës kryesore të Postës dhe mandej kanë filluar marshin e tyre protestues qendrës së Prishtinës, për të vazhduar deri tek Kuvendi i Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së PTK-së, Milazim Alishiqi ka deklaruar se qëllimi i saj është bartja e mesazhit tek ligjvënësit kosovarë që të mos e miratojnë Strategjinë për Privatizim të PTK-së.
Sindikalistët u kanë bërë thirrje deputetëve të mos e votojnë këtë strategji, për shkak se Kosova do të humbet një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave për buxhetin e vendit.
Gjatë marshit protestuesit mbanin në duar pankarta, ku kundërshtohej privatizimi i PTK-së dhe u bëhej thirrje edhe ligjvënësve që të kundërshtojnë këtë privatizim; "Deputet të Republikës së Kosovës thuani jo aprovimit për privatizimin e PTK-së", "Duam referendum, duam ligj të veçantë për PTK", "Si do të arsyetohemi para gjeneratave të reja, çka mbeti pa u shitur?", "Kuvend ndal privatizimin", e të tjera.
Alishiqi ka thënë se privatizimi i kësaj ndërmarrje do të sjellë vetëm humbje për buxhetin e Kosovës dhe varfëri në vend.
Ai ka thënë se privatizimi i kësaj ndërmarrjeje do ti shkaktojë dëme të mëdha Kosovës, sidomos me këtë zhvillim ekonomik që është tani.