Punëtorët e Stacionit të Autobusëve ankohen për gjendjen e tyre
Mitrovicë, 30 janar - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të enjten në takim një grup punëtorësh të Stacionit të Autobusëve.
Ata u ankuan për statusin e tyre të pazgjidhur, meqë edhe pse figurojnë si punëtorë ka kohë që nuk punojnë për shkak se ndërmarrja nuk ka punë.
Punëtorët e Stacionit të Autobusëve, thanë se ata nuk marrin as paga dhe kjo ka rënduar së tepërmi gjendjen e tyre. Potencuan nevojën për mbështetje nga kryetari në mënyrë që gjendja të përmirësohet.
Në anën tjetër, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, premtoi mbështetje në kuadër të mundësive që ka komuna.
Jemi shumë të interesuar dhe të vendosur që Stacioni i Autobusëve të përmirësoj ofrimin e shërbimeve dhe do të punojmë në këtë drejtim. Gjithashtu në këtë kuadër do të përpiqemi që të zgjidhet edhe problemi juaj, tha ai.
Bahtiri, theksoi se me kalimin e kohës do të tejkalohen këto probleme dhe gjendja do të përmirësohet. Jemi duke punuar që të vendosim rend dhe rregull në të gjitha ndërmarrjet që menaxhohen nga komuna.