Punëtorët e Postës paralajmërojnë protesta ndaj MPMS-së
Prishtinë, 29 dhjetor - Në emër të rreth një mijë punëtorëve, Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës si dhe Shoqata Sindikale Postieri kanë shprehur shqetësimin e thellë për diskriminimin që po i bëhet Postës nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Pas gati dy vite bisedimesh dhe negociatash mes Postës dhe kësaj Ministrie, ku kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të Sindikatës, është arritur pajtimi që skema sociale (ndihmat sociale) të shpërndahen përmes Zyrave Postare. Pas adresimit të të gjitha çështjeve teknike dhe ligjore, këto bisedime kanë përfunduar me draftet finale të Marrëveshjes dhe Posta është ftuar që në një ceremoni, më 28 maj, në ora 14:00, të nënshkruajë Marrëveshjen me MPMS-në.
Mirëpo, vetëm një orë para nënshkrimit MPMS pa kurrfarë sqarimi ka anuluar takimin për përmbyllje formale të Marrëveshjes. Megjithëse menaxhmenti i Postës por edhe Sindikata kanë kërkuar, edhe publikisht, që të nënshkruhet marrëveshja e përfunduar, MPMS ka injoruar thirrjet tona.
Për më tepër, duke e lënë këtë proces të hapur, kjo Ministri ka shpallur tender me kritere diskriminuese - favorizuese duke ju mundësuar të konkurrojnë vetëm bankat, dhe duke rrezikuar mirëqenien e 1000 familjeve tona, duke e penguar hapjen e reja te vendeve të punës me këtë vendim dhe duke krijuar raste sociale me këtë aktivitetit të prokurimit!
Të nderuar zyrtarë të Ministrisë dhe të gjithë të tjerët të involvuar në këtë padrejtësi, shkelje, diskriminim dhe nënçmim që i bëhet njërës prej ndërmarrjeve më të mëdha publike në Kosovë, ju njoftojmë përfundimisht se nuk do të tolerojmë veprimet tuaja të paligjshme, sepse ju ndryshojnë deklaratat nga veprimet, deklaroni për mirëqenie sociale, veproni kundër mirëqenies sociale te punëtoreve te Republikës se Kosoves, deklaroni hapje te vendeve te punës në mërgim, veproni për mbyllje të vendeve të punës në ndërmarrjen tonë Posta e Kosoves.
Kërkojmë që sa më shpejt, urgjentisht, të ftoni Postën e Kosovës për të vënë nënshkrimet në marrëveshjen finale që e kemi hartuar bashkërisht me juve. Ju mund tju jepni bankave çfarë të doni por jo edhe shërbimet për të cilat jemi marrë vesh së bashku që ti jepen Postës.
Ju e dini që marrëveshja me Postën ua kursen 40 mijë euro në krahasim me kontratën që keni me banka. Si mund të thirreni në kursime të buxhetit kur ju në fakt duke favorizuar bankat e duke diskriminuar ndërmarrjen publike jeni duke e dëmtuar buxhetin e Qeverisë së Kosovës, ju e dini qe shpërndarja e skemës sociale përmes Postës së Kosovës është interes i trefishtë, interes i juaji për shkak se jemi ndërmarrje publike dhe kursim i buxhetit, interes ynë për shkak se do të këtë punë për punëtorët tanë, dhe interes i përfituesve të skemës sociale pasi që operojnë 157 Zyra Postare që përfituesit nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë, të maltretohen duke pritur në rend për të tërhequr ndihmat sociale.
Jemi të befasuar dhe të indinjuar nga deklarata e paqëndrueshme e Sekretarit të Përgjithshëm i MPMS-në i cili manipulon opinionin për kinse pasiguri financiare në Postën e Kosovës kur dihet që të gjitha çështjet janë adresuar gjatë bisedimeve dhe kemi arritur deri te teksti i marrëveshjes finale. Gjithashtu, MPMS e di që në Postën e Kosovës gjatë një viti qarkullojnë rreth 80 milionë euro.
Është absurd që një Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale godet mirëqenien e një mijë punëtorëve pavarësisht se kjo Ministri duhet të punojë në drejtim të rritjes së mirëqenies për të gjithë punëtorët në Republikën e Kosovës.
Sindikatat e punëtorëve të Postës ju njoftojnë juve si Ministri dhe të gjitha institucionet relevante se brenda pak ditësh do të ndërmarrim aktivitete sindikale dhe ligjore deri në korrigjimin e padrejtësisë që i është bërë Postës së Kosovës. Duke ftuar organet kompetente që të merren me hetim të plotë të këtij vendimi diskriminues, jo ligjor, arbitrar.
\"Ju sigurojmë se në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të diskriminohemi dhe të trajtohemi në këtë mënyrë nga një Ministri e Qeverisë së Kosovës e cila është aksionare e vetme e Postës. Ne kemi pritur përkrahje nga Qeveria e jo padrejtësi\", thuhet në komunikatën për media të Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës si dhe Shoqatës Sindikale Postieri.