Punëtorët e Postës nga sot do të hyjnë në Grevë të Përgjithshme
Prishtinë, 10 shtator - Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës ka bërë të ditur se nga sot të gjithë punëtorët do të hyjnë në Grevë të Përgjithshme e cila nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë kësaj kohe në sportelet e Postës së Kosovës nuk do të ofrohet asnjë shërbim.
Greva nuk do të ndalet deri realizimin e të gjitha kërkesave. Kërkesa kryesore e tyre është realizimi i pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës.
Po ashtu edhe garantimi me shkrim nga Menaxhmenti, Bordi dhe Qeveria e Kosovës që ekzekutimi i pagave në muajt e ardhshëm do të bëhet brenda afatit ligjor.
Kërkesë tjetër e tyre është se Qeveria e Kosovës të kryej urgjentisht obligimin ligjor ndaj Postës – rimbursimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar.
Qeveria t’i mundësoj Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë (pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankës).
Greva sipas sindikates do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të PK Sh.A.