Pulla postare “Kroi i Gorozhupit, Kroi i Siqevës dhe Kroi i Mbretit”
Prishtinë, 7 prill - Sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim emisionin e pullave postare të titulluar “Kroi i Gorozhupit, Kroi i Siqevës dhe Kroi i Mbretit” që i referohet krojeve të njohura në Kosovë.
Tre krojet që shfaqen në pullat postare, paraqesin burimin e ujit natyral në vendin tonë, prej të cilëve banorët përreth janë furnizuar me ujë të pijshëm për shekuj me radhë në të gjitha stinët e vitit. Në vendin ku buron uji i kroit rregullohet e pajiset zakonisht me një lug, apo me ndonjë muri të posaçëm.
Kroi i Gorozhupit, është kroi që ka një histori të veçantë dhe njihet si kroi i vajtimit që i bashkoi hasianët e ndarë në Malësinë e Hasit. Buron i lirë në lartësinë prej 376 m mbi nivelin e detit, përkatësisht disa qindra metra mbi shtratin e lumit Drini i Bardhë, që nga viti 1958 është i rregulluar nga mjeshtrit vendorë.
Kroi i Siqevës, gjendet në afërsi të Prishtinës, në natyrë dhe me pamje piktoreske. Kroi i Siqevës është burim nga i cili banorët e fshatrave janë furnizuar me ujë të pijshëm. Reshjet dhe shkrirja e borës në pranverë ndikojnë në shtimin e sasisë së ujit të tij.
Kroi i Mbretit, i rrethuar me beton gjendet në magjistralen Prishtinë-Pejë, në fshatin Korroticë e Epërme e komunës së Drenasit. Emri i tij tregon që ky burim ka vjetërsi, sipas legjendës thuhet se një mbret ishte ndalur për të pushuar në vendin që tashmë quhet “Kroi i Mbretit”, mbase kali i tij e kishte shpuar me këmbë gurin, në të cilin ishte ulur mbreti dhe nga aty kishte filluar të rrjedhë ujë.
Filatelia e Kosovës, për çdo vit emeton pulla postare me bukuritë dhe pasuritë natyrore që ka Republika e Kosovës, me qëllim të promovimit të tyre nëpër botë.