Pulla postare “Evropa 2020 - Rrugët e lashta postare”
Prishtinë, 10 qershor - Nga sot, Posta e Kosovës lëshon në qarkullim emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Evropa 2020 - Rrugët e lashta postare”.
Ky emision përbëhet prej dy pullave postare me vlera nominale 1€ dhe 2€, si dhe një blloku filatelik.
Pamjet e pullave postare prezantojnë periudhën e bartjes së dërgesave postare me qerre, në rrugët e vjetra të punuara nga gurët, si dhe shpërndarjen e dërgesave postare nga postieri.
Në motivin e bllokut filatelik, në mënyrë përmbledhëse prezantohen rrugët tokësore dhe ujore të dërgesave postare, por edhe mënyra më e lashtë e komunikimit, përmes pëllumbit.
Për këtë tematikë Filatelia e Postës së Kosovës ka përgatitur edhe dy lloje të Zarfeve të Ditës së Parë, me bllok filatelik dhe set/komplet të pullave postare.