PTK shitet në dhjetor
Prishtinë, 7 nëntor - Në dhjetor shitet Post-Telekomi i Kosovës. Zyrtarë qeveritarë thonë se ka mbetur vetëm dorëzimi i ofertave nga kompanitë në garë dhe shpallja e fituesit. Mohojnë se procesi mund të dështojë sërish.
Privatizimi i 75 për qind të aksioneve të PTK-së duket çështje ditësh. Ka mbetur vetëm dorëzimi i ofertave nga kompanitë në garë dhe shpallja e fituesit në dhjetor. Së paku kështu po pretendojnë udhëheqësit e këtij procesi.
Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se nuk kanë asnjë problem me kompanitë në garë dhe se presin që gjithçka të përfundojë brenda këtij viti. Fituesi pritet të shpallet këtë vit, brenda muajit dhjetor dhe deri më tani nuk ka probleme me kompanitë në garë, thonë zyrtarë nga zyra për komunikim e kësaj ministrie.
Aktualisht tenderi për kompanitë e kualifikuara është i hapur ende. Sipas kësaj ministrie, kompanitë në garë janë duke analizuar biznesin e PTK-së, dokumentet e tenderit, ndërkaq rreth mesit të muajit dhjetor pritet të mbyllet tenderi me dorëzimin e ofertave teknike dhe financiare, shkruan Express.
Kompanitë që kanë plotësuar kriteret ligjore, financiare dhe teknike të përcaktuara në thirrjen për parakualifikim janë: Albright Capital Management LLC në bashkëpunim me Portugal Telecom, Columbia Capital në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh në bashkëpunim me British Telecom - Poloni (në pronësi të British Telecom), M1 International Limited, Turkcell, Twelve HORNBEAMS në konsorcium me Avicenna Capital LLC në bashkëpunim me Sofrecom (pjesë e France Telecom).
Në deklaratën e fundit për Kosovën, Fondi Monetar Ndërkombëtar madje ka tërhequr vërejtjen për disa vonesa të vogla rreth tenderit. Në fund të gushtit është përmbushur edhe afati për nisjen e tenderit për hapjen e ofertës për kompaninë e telekomunikacionit PTK, edhe pse me një vonesë të vogël, thuhet në deklaratën e fundit të FMN-së.