PTK-së i bie fitimi për 64%
Prishtinë, 14 nëntor - Ishte ndërmarrja me profitin më të madh në vend. Por tani, Postë-Telekomit të Kosovës nuk po i shkon asgjë mirë, si në aspektin e privatizimit ashtu edhe në realizimin e planit biznesor.
Muaji shtator ka qenë muaji më i errët i kësaj ndërmarrjeje sa i përket realizimit të të hyrave.
Burime të gazetës Tribuna bëjnë të ditur se kjo ndërmarrje në muajin shtator ka pasur rënie të neto fitimit për 64% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se PTK po ashtu ka qenë larg realizimit edhe të planit të rishikuar sa i përket realizimit të fitimit.
Me buxhetin e rishikuar PTK është planifikuar që në muajin shtator të realizojë fitimin prej 4.6 milionë eurove, ndërkaq ka realizuar vetëm 2.6 milionë euro.Kjo i bie se fitimi i PTK-së është më i ulët për 51 për qind krahasuar me planin, ka thënë burimi, shkruan Tribuna.
Ndërkaq, zyra për informim në PTK nuk i është përgjigjur gazetës rreth fitimeve që ka realizuar PTK gjatë kësaj periudhe kohore
/Tribuna/