PTK nuk u vazhdon kontraten Krasniqit e Ramaxhikut
Prishtinë, 12 korrik - Drejtorit për financa në PTK, Nuredin Krasniqit dhe sekretarit të korporatës, Sebajdin Ramaxhikut, nuk u është vazhduar kontrata nga menaxhmenti i ri.
Për të dy këto pozita tashmë është shpallur konkurs. Aty thuhet se PTK-ja po kërkon njerëz të kualifikuar, por burimet brenda korporatës thonë se këto ndryshime vijnë pas ardhjes së drejtorit të ri.
Me ardhjen e kryeshefit të ri në Postën dhe Telekomin e Kosovës, Ejup Qerimi ka filluar edhe ndërrimet e zyrtarëve të lartë në këtë kompani, shkruan Express.
Ish-ushtruesit të detyrës se kryeshefit ekzekutiv, dhe njëherësh drejtorit për financa në PTK, Nuredin Krasniqit nuk i është vazhduar kontrata.
Njëjtë është vepruar edhe me Sabajdin Ramaxhikun, të cilit nuk i është vazhduar marrëdhënia e punës për pozitën e sekretarit të korporatës.
Ky i fundit që deri më tani ka mbajtur dy poste, tani do të jetë vetëm drejtor për çështje ligjore në PTK.