PTK ndanë dhurata për fëmijët e Kopshtit Sos Kinderdorf
Prishtinë, 22 dhjetor - Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha ka pritur të mërkurën fëmijët e Kopshtit Sos Kinderdorf me çrast iu ka ndarë dhurata për nder të festës së Vitit të Ri.
Duke pranuar kartolina dhe punime dore nga ana e fëmijëve, ai ka thënë se ndihet tepër i nderuar që ka pasur rastin ti gëzoj sadopak me dhurata modeste këta fëmijë.
Të presësh këta fëmijë dhe të shpërndash dhurata duke përjetuar gëzimin e tyre, është me të vërtetë dhurata më e mirë për mua në prag të festave të fundvitit, sepse është një ndjenjë e veçantë të jesh i rrethuar prej tyre, u shpreh KE i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha gjatë dhurimit të dhuratave 40 fëmijëve të moshës parashkollore të Kopshtit Sos Kinderdorf.
Ai rikujtoi me këtë rast se nuk është hera e parë që ka pritur dhe u ka shpërndarë dhurata fëmijëve të ndryshëm, përfshirë edhe fëmijëve bonjak të Reçakut, por edhe fëmijëve, nxënësve dhe studentëve të shumtë.
Gjatë këtij viti PTK ka ndihmuar në vazhdimësi fëmijë, familje, studentë, skamnorë, invalidë të luftës me të vetmin qëllim që kontributi ynë të jetë i pranishëm në shoqërinë kosovare, ka bërë të ditur Dr.Haxha duke lënë të kuptohet se fytyrat e buzëqeshura dhe të lumtura të këtyre fëmijëve, janë një shtytje e madhe që të gjithë të angazhohemi që fëmijët e Kosovës të kenë një fëmijëri pa brenga.
PTK gjatë vitit 2010 ka dhuruar libra në vlerë prej 45.000 (dyzet e pesë mijë euro) për 450 nxënës të shkëlqyeshëm, por me kushte te vështira ekonomike dhe gjendje të rëndë sociale, ndërkohë që PTK do të vazhdojë të ndihmojë kurdo dhe kudo që ka mundësi financiare, natyrisht duke pasur në konsideratë autorizimet ligjore dhe aspektet financiare.
PTK gjatë festave të fund vitit do të shpërndajë gjithashtu nëpër vendbanime dhe institucione të ndryshme të Kosovës mbi 3000 mijë dhurata, përfshirë shoqatat e dala nga lufta, shtëpi dhe spitale të përkujdesjes së fëmijëve, etj.