PTK-ja viteve të fundit po shënon trende negative
Prishtinë, 7 korrik - Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Myzejene Selmani, kryetare, shqyrtoi Propozim Strategjinë e Qeverisë për Privatizimin e Post-Telekomunikacionit të Kosovës (PTK).
Në këtë mbledhje, e cila kishte zgjuar interesim edhe te deputetët tjerë që si përkisnin këtij komisioni, për të shpalosur strategjinë për privatizimin e PTK-së ishte i pranishëm edhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala dhe përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të PTK-së.
Ministri Shala, fillimisht dha një pasqyrë rreth punës që ka bërë Komisioni Ndërministror, të cilin e udhëheq ai dhe i cili ka hartuar strategjinë për privatizimin e PTK-së.
Ne kemi ekzaminuar të gjitha aspektet e PTK-së, aspektin ligjor, financiar, komercial dhe kornizat rregullative. Pas një analize të thellë, në shkurt të këtij viti kemi organizuar një konferencë të investitorëve. Në atë konferencë janë paraqitur vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e investitorëve. Më pas kemi përgatitur opsionet e nevojshme që i përshtaten specifikave në Kosovë. Dua të theksoj se, bashkëpunimi mes menaxhmentit të PTK-së, sindikatës dhe faktorëve tjerë relevant për të përgatitur procesin e privatizimit ka qenë shumë i kënaqshëm tha ministri Shala.
Më tej ministri Shala foli edhe për politikat e Qeverisë, duke sqaruar dhe arsyetuar nevojën e privatizimit. Ai shtoi se, mendimi i Qeverisë është që nuk duhet mbajtur në pronësi shtetërore PTK-në. Përveç faktit që të gjitha shtetet në rajon kanë privatizuar kompanitë si PTK-ja, ai tha se PTK-ja viteve tët fundit është duke shënuar trend negative.
Me një pjesëmarrje prej 25% të Qeverisë, sipas ministrit Shala, privatizimi i PTK-së është interes i shtetit, prandaj duhet privatizuar atë. Në vijim, ministri tha se me privatizimin e PTK-së, do të realizohen projekte nacionale dhe sociale në Republikën e Kosovës.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e Komisionit në parim të gjithë e mbështetën procesin e privatizimit, por, ata tërhoqën vërejtjen se, duhet analizuar me saktësi rrethanat ekonomike në vend rajon dhe botë. Anëtarët e komisionit, sikurse përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të PTK-së shprehën interesim të veçantë për fatin e të punësuarve në PTK. Duke e konsideruar vetëm si fillim të diskutimeve takimin e sotëm, anëtarët e Komisionit kërkuan që procesi i privatizimit të studiohet në hollësi dhe të zhvillohet me transparencë të plotë nga ana e Qeverisë.
Në mbledhjen e sotme, komisioni miratoi edhe raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shoqëritë tregtare, i cili do të procedohet për shqyrtim edhe në komisionet kryesore të Kuvendit.