PTK-ja prapë në seancë
Prishtinë, 4 nëntor Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka vendosur që në seancën e ardhshme më 7 nëntor, edhe një herë të procedohet formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.
Po ashtu në këtë seancë Kuvendi do të shqyrtohen katër projektligje. Në seancë do të procedohet edhe një herë me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.
Deputetët, ndërkaq, në vazhdim do të shqyrtojnë për herë të parë katër projektligje: Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligji për aktet normative.
Në po këtë seancë pritet të emërohen anëtarët e Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kurse në përfundim të seancës do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së , Adem Grabovci, edhe në takimin e sotëm të Kryesisë ka kërkuar që në vazhdimin e seancës më 7 nëntor të shtrohet për miratim Raporti i Komisionit qeveritar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.
Shumica e anëtarëve Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe të Vetëvendosjes ( Ismet Beqiri dhe Visar Krasniqi) kanë mbajtur qëndrim se në vazhdim të seancës së 17 tetorit nuk mund të radhiten pika shtesë. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka theksuar se në seancën e radhës duhet të radhitet çështja e privatizimit të PTK-së.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ndërkaq, ka hedhur idenë që në funksion të zhbllokimit të punës së Kuvendit të pezullohen përkohësisht edhe Raporti për privatizimin e PTK-së edhe krijimi i Komisionit hetimor për këtë çështje, derisa grupet parlamentare të arrijnë pajtimin për shqyrtimin e tyre në të njëjtën seancë.
Në takimin e sotëm anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar që në mbledhjen plenare të radhës të shqyrtohen disa pika të papërfunduara nga seancat e shkuara, si dhe çështje të tjera që në ndërkohë arrijnë për procedim në Kuvend.