24 Dhjetor 2024

PTK gjobitet me 50 mijë euro

Prishtinë, 6 korrik - Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) është gjobitur me 50 mijë euro nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për shkak të shkeljes së dispozitave të nenit 131të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

Po ashtu, OSHP-ja përmes këtij vendimi, zyrtarit të prokurimit në PTK ia tërheq vërejtjen e fundit për mospërfundim të aktivitetit të prokurimit "Ndërtimi i linjave dhe trafostacioneve te tensionit të mesëm 10/20/0.4kv, 50kva dhe 50Hz në 10 lokacione", konform dispozitave të LPP-së, gjegjësisht për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të tij ndaj detyrës zyrtare për realizimin e 80 për qind të këtij aktiviteti të prokurimit me procedura të jashtëligjshme.

Në vendimin e OSHP-së thuhet se PTK-ja më 31 dhjetore 2012 ka publikuar njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit "Ndërtimi i linjave dhe trafostacioneve të tensionit të mesëm 10/20/0.4kv, 50kva dhe 50Hz në 10 lokacione", ku si kriter për dhënie të kontratës ka qene tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.

Më tej, në vendim thuhet se autoriteti kontraktues ka pranuar 11 oferta nga operatorët ekonomikë të interesuar për këtë aktivitet të prokurimit, ku vetëm një operator ekonomik është vlerësuar si i përgjegjshëm nga komisioni vlerësues, ndërsa 10 të tjerë janë vlerësuar si të papërgjegjshëm.Pas kësaj, autoriteti kontraktues, PTK-ja më 14 shkurt 2013, ka publikuar njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

Por, disa ditë më vonë kompanitë "ENBI POWER&G3 ENGINEERING", si palë të pakënaqura ka parashtruar ankesë kundër njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, e ku pas kësaj, paneli shqyrtues në seancën e mbajtur, më 26 mars 2013, ka marrë vendim që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim si dhe të aprovohet ankesa e OE ankues "G3-ENGINEERING" si e bazuar .

Por, rreth dy muaj më vonë Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pranuar nga kompania "ENBIPOËER& G3 ENGINEERING" njoftimin se PTK-ja ka bërë shkelje duke angazhuar kompani interesi dhe pa asnjë bazë ligjore për kryerjen e projektit edhe pse projekti ka qenë në procesin e tenderimit. Kompania në fjalë kërkon nga OSHP-ja që ndaj PTK-së të marrë masa ligjore.

Gjatë seancës në OSHP përfaqësuesi i zyrës së prokurimit Fatmir Gjonbalaj ka thënë se PTK-ja ka respektuar vendimin e OSHP-së për rivlerësimin e tenderëve.

“Ky aktivitet i prokurimit është anuluar për herë të tretë, për arsye se nuk kemi arritur te sigurojmë dy (2) operatorë ekonomikë të përgjegjshëm. Gjithashtu në fund të procesit të rivlerësimit për herë të tretë departamenti i prokurimit PTK ka pranuar njoftimin se rreth 80 për qind e këtyre punëve për ketë aktivitet te prokurimit janë kryer me metoda tjera, për te cilat departamenti i prokurimit nuk ka qenë në njohuri”, ka thënë ai gjatë seancës së OSHP-së.

Por, paneli shqyrtues bazuar në sqarimet e dhëna gjate seancës dëgjimore nga përfaqësuesi i AK-se, ku theksoi se ky aktivitet është përmbushur rreth 80% me kontrata te tjera, qe nuk kane pasur për qëllim-obligim përmbushjen e këtyre detyrimeve kontraktuese.

Po ashtu OSHP-ja ka vlerësuar se autoriteti kontraktues, respektivisht njësia kërkuese e PTK-së, me rastin e kryerjes së 80% te projektit "Ndërtimi i linjave dhe trafostacioneve të tensionit te mesëm 10/20/0.4kv, 50kva dhe50Hz në 10 lokacione", ka vepruar në kundërshtim me parimet e LPP-se , respektivisht me nenin 6 paragrafi 1 LPP-së.

Çka thotë ligji ?

Te gjitha autoritetet kontraktuese janë të obliguara që të sigurojnë që fondet publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike, njëkohësisht duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit" si dhe nenin 6 paragrafi 2 ku thuhet se Fondet publike dhe burimet publike që janë ofruar ose janë vënë në dispozicion sipas një kontrate publike mund të përdoren vetëm nga kontrata e tillë dhe vetëm për qëllimet e te njëjtës.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)