PTK aktivizon pajisjet fiskale
Prishtinë, 4 nëntor - Posta dhe Telekomunikacioni i Kosoves (PTK) në kuadër të së cilës bëjnë pjesë tri Njësitë e Biznesit, Posta e Kosovës, Telekomi dhe Operatori mobil VALA, me mbi 400 sportele të shitjes në gjithë territorin e Kosovës tashmë ka finalizuar fazën përfundimtare të implementimit të projektit për fiskalizimin e rrjetit të shitjes.
Rreth 300 pajisje fiskale, përfshirë arka dhe shtypës fiskal që nga dita e sotme janë aktivizuar në të gjitha zyrat postare të PTK-së në tërë territorin e vendit, ndërkohë që 45 arka fiskale të tjera nëpër zyra të ndryshme postare janë në proces për të implementimit dhe instalimit teknik, në mënyrë që të mbulohen të gjitha sportelet në Kosovë.
Për shkak të numrit të madh të zyrave postare në Kosovë, respektivisht sporteleve nëpër zyra të reja postare që janë hapur në ndërkohë, pastaj komplikueshmëria e softuerëve të të tri Njësive të Biznesit, Vala, Tekekomi dhe Posta dhe ndërlidhja me pajisjet fiskale, ka shkaktuar një vonesë teknike për fiskalizimin në tërësi të PTK-së si kompania më e madhe publike në Kosovë.
Procesi i fiskalizimit e konsiderojmë si projekt të suksesshëm, për arsye se është zbatuar në bazë të planit të paraparë nga Administrata Tatimore e Kosovës, aq më tepër që PTK vlerësohet si kompania që ka kontribuar dhe kontribon më së shumti në aspektin tatimor për buxhetin e vendit, ka deklaruar Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha me rastin e aktivizimit të pajisjeve fiskale në PTK.
Me fiskalizmin në tërësi të PTK-së, kjo kompani ka kryer obligimin e saj ligjor ndaj kërkesës së Ministrisë së Financave, respektivisht Administratës Tatimore të Kosovës.
Pavarësisht këtij fakti, PTK ka derdhur deri më tash në buxhetin e vendit miliona euro në emër të taksave dhe tatimeve, që do të thotë se është dhe vazhdon të mbetet numër një sa i përket kryerjes së obligimeve ndaj shtetit si tatimpaguesi më i madh në Kosovë.