Pronat ka kalon autostrada barten në pronësi të Qeverisë
Prishtinë, 1 qershor - Në mbledhjen e 127, të rregullt te Qeverise se Republikës së Kosovës është aprovuar vendimi për shpronësimin e tokave publike dhe transferin e tyre në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës për nevojat e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare.
Me planin e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2010 është paraparë fillimi i ndërtimit të autostradës R7 Vërmicë-Merdare. Për ta vazhduar punimet është e nevojshme që pronat e paluajtshme publike, për të cilat Qeveria është autoritet shpronësues, sipas Ligjit mbi shpronësimin, duhet ta bëjë bartjen e tyre në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës për nevojat e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare.
Qeveria po ashtu ka miratuar vendimin për emërimin e Këshillit ndërministror për politika tregtare. Dokumenti i Politikës Tregtare të Kosovës është aprovuar nga Qeveria e Kosovës në muajin gusht të vitit 2009, ku formulimi dhe interpretimi i politikës tregtare është vetëm një nga hallkat e të ashtuquajturit proces i politikës tregtare, që përveç formulimit përfshin edhe koordinimin, implementimin, vlerësimin dhe rishikimin e përfundimeve të politikes tregtare.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka kërkuar që në strategjinë legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2010, të përfshihet ndryshim plotësimi i Ligjit për administrimin dhe procedurat tatimore, Ligjit për menaxhimin e financave publik, dhe Ligjit për buxhetin. Ndryshimet janë të nevojshme për të harmonizuar këto akte juridike me marrëveshjen që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtarë.
Qeveria ka aprovuar edhe kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të zgjatet orari i punës për të punësuarit në sektorin e furnizimit të qytetarëve me dokumente civile gjatë periudhës së pushimeve verore, qershor-shtator. Kjo zgjatje e orarit bahet me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtyre shërbimeve gjatë kohës së qëndrimit të të gjithë qytetarëve me qëndrim në botën e jashtme dhe të cilët gjatë këtyre pushimeve do të qëndrojnë në Kosovë.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për zgjatjen e orarit javor për të punësuarit në kompanitë që do të punojnë në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar. Kjo zgjatje e orarit bëhet me marrëveshje dhe në pajtim të plotë nga punëdhënësit dhe nga punëmarrësit. Vendimi do të vlej deri në aprovimin e Ligjit të punës.
Kabinetin qeveritar është njohur edhe për vizitën që së shpejti do të bëj në Kosovë, me ftesën e kryeministrit Hashim Thaçi, miku i madh i Kosovës dhe popullit tonë, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Bler. Në këtë rast, kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se Kosova do ta pres mikun e vet me nderimet më të larta shtetërore ish-kryeministrin Bler, duke shprehur falënderimin e vet për angazhimin e tij për Kosovën.
Kosovën do ta vizitojë së shpejti edhe kryeministrit i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka treguar një angazhim të madhe për mbështetjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në inkurajimin e investimeve në Kosovë nga investitorët turq.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar edhe vizitën e ministri Skender Hyseni në Francë dhe ministrit Besim Beqaj në Bruksel, që është edhe një dëshmi e përkushtimit të Qeverisë së Kosovës në Agjendën Evropiane të Kosovës.
Qeveria ka miratuar Programin Kombëtar i Shkencës i Republikës së Kosovës. Në kuadër të përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndërtuar shtet, i cili bazohet në dije dhe kërkim shkencor, si dhe duke synuar që kërkimi shkencor të jetë më ngushtë i lidhur me arsimin e lartë, ndërmarrjet, biznesin, dhe nevojat e shoqërisë në tërësi. Veprimtaria kërkimore-shkencore në Republikën e Kosovës duhet të avancohet me hulumtime të vazhdueshme të fushave të ndryshme shkencore, e cila duhet të jetë me arsimin e lartë, ndërmarrjet dhe biznesin, si dhe të prijë zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Republikës së Kosovës. Programi ka identifikuar pesë objektivat e vet. Objektivi i parë është investimi në resurset humane për zhvillimin e shkencës; i dyti infrastruktura shkencore; së treti ndërkombëtarizimi i hulumtimeve shkencore; së katërti ndërlidhja Shkencë-shoqëri-ekonomi; dhe së pesti përsosmëria e hulumtimeve shkencore.
Në këtë drejtim, Programi identifikon edhe pesë prioritetet: i pari zhvillimi ekonomik; i dyti prodhimi i sigurt i ushqimit; e treti shëndeti dhe zhvillimi i mjekësisë; i katërti zhvillimi shoqëror-ekonomik; dhe i pesti hulumtimet në gjuhësi, kulturë dhe histori.