Promovohet pulla postare Universiteti i Prishtinës
Prishtinë, 28 tetor - Posta e Kosovës, ka promovuar të hënën pullën postare që i kushtohet Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, institucionit më të rëndësishëm arsimor, shkencor dhe kulturor në Republikën e Kosovës.
Në këtë promovim që është mbajtur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës kanë folur ministrat e Qeverisë së Kosovës, Ramë Buja dhe Fadil Ismajli, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, si dhe kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha.
Jemi krenar që kësaj radhe po e nderojmë Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina, ku për afër gjysmëshekulli dolën kuadro profesionale të cilët dhanë dhe vazhdojnë të japin kontributin kryesor në zhvillimin e përgjithshëm të shtetit të Kosovës, ka thënë kryeshefi Hoxha, gjatë fjalës së tij para stafit akademik të UP-së, studentëve dhe mysafirëve tjerë.
Në këtë tempull të dijës u mbajt gjallë ideali për liri përmes lëvizjeve studentore që kishin për qëllim çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Studentë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës ishin gjithnjë pjesë e pandashme e lëvizjes kombëtare, ka theksuar Hoxha.
Ministrat Buja dhe Ismajli kanë mirëpritur lëshimin në qarkullim të pullës postare me pamje të Universitetit të Prishtinës duke vlerësuar lartë vlerat artistike të saj.
Ndërkaq, rektori Ibrahim Gashi ka theksuar se Universiteti i Prishtinës do ta përdorë këtë pullë postare për komunikim, sidomos me universitete dhe institucione tjera ndërkombëtare të arsimit të lartë.
Në shenjë respekti, kryeshefi i Postës Sejdi Hoxha u ka dhuruar nga një plaketë bronzi me pamjen e kësaj pulle dy ministrave dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina.
Përmes emetimit të rregullt dhe të jashtëzakonshëm të pullave postare, Posta e Kosovës promovon vlerat historike, kombëtare, kulturore, shkencore dhe artistike të Republikës së Kosovës.