27 Dhjetor 2024

Prokuroria trajton rastin Z-Moblile - PTK

Prishtinë, 20 prill - Gjatë paraqitjes së raportit vjetor të punës për vitin 2016, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka paralajmëruar të enjten se kushdo që është i implikuar në rastin e humbjes së 30 milionë eurove në Gjykatën e Arbitrazhit nga Posta dhe Telekomi i Kosovës ndaj kompanisë Z-Moblile, do të përgjigjet para drejtësisë.

Lumezi bëri të ditur se me rastin tani po merret Prokuroria Speciale, derisa nëse ka fakte atëherë do të nisin procedurat për këtë rast. Sipas tij, nevojat e politikës dallojnë nga kërkesat e drejtësisë, duke thënë se ata janë duke i zbatuar dispozitat ligjore për secilin rast që kanë informacione se ka dyshim të arsyeshëm se është kryer vepra penale.

“Për rastin konkret mund të jap disa informacione se ky rast është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe i kemi ndërmarr veprimet e para në drejtim të grumbullimit të informacioneve për të vërtetuar se a ekziston dyshimi i arsyeshëm për të filluar procedurën penale. Pas marrjes së informatave nga Policia e Kosovës sigurisht se do të marrim veprime për t’i vërtetuar të gjitha ato pretendime dhe nëse ato dalin të sakta jeni të bindur se prokuroria do të vazhdojë me procedimin e këtij rasti, pavarësisht se kush është i implikuar në këtë rast”, tha Lumezi.

I pyetur rreth pavarësisë së Prokurorisë së Shtetit në rastin “Pronto”, Lumezi tha se nuk punojnë sipas programit të asnjë partie politike dhe se në momentin që konstatojnë se ka prova atëherë do të ngritin aktakuzë për dy personat e përfshirë në këtë rast.

“Sa i përket rastit “Pronto”, ne kemi treguar se kemi vullnetin që t’i zbardhim të gjitha situatat kontestuese. Ju e dini që këtë rast e kanë hetuar prokurorët e EULEX=it dhe në bazë të shkresave të lëndës që kemi marr ne kemi pasur guximin të fillomë hetimet dhe shumë persona që kanë qenë të përfshirë në rastin “Pronto” janë në fazën e hetimeve dhe sa po t’i mbledhim informacionet e mjaftueshme nga hetimet dhe ato do të tregojnë se a ka prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës kundër dy personave të përfshirë në rastin konkret”, tha ai.

Kryeprokurori Lumezi, foli edhe për rastin e Dafina Zhubit, për të cilin tha se ky rast nuk është mbyllur dhe se janë duke e hetuar personin e dyshuar për veprën penale të vrasjes.    

Ndërsa rreth letrave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nëse Prokuroria e Shtetit është hetuar vrasjet e pasluftës, Lumezi tha se i kanë marrë seriozisht letrat e presidentit me qëllim zbardhjen e shumë çështjeve të luftës dhe pasluftës.

“I kemi marr shumë seriozisht letrat e presidentit të vendit me qëllim që të zbardhen shumë situata që kanë ndodhur gjatë viteve të luftës, por edhe pas viteve të luftës. Një numër i këtyre lëndëve janë hetuar nga prokurorët e UNMIK-ut dhe ata të EULEX-it. Në disa raste kemi vendime përfundimtare. Në rastet tjera që përmendën në letrën e presidentit janë duke u hetuar nga prokurorët e EULEX-it në disa raste të krimeve të luftës që kanë ndodhur në vitin 98-99. Sa i përket disa vrasjeve të disa personaliteteve publike gjithashtu ato raste janë transferuar në Prokurorinë Speciale dhe janë duke u hetuar. Në momentin që marrim ndonjë rezultat konkret, atëherë edhe opinioni do të jetë i informuar”, theksoi Lumezi.

Duke paraqitur raportin vjetor për vitin 2016 të punës së Prokurorisë së Shtetit, Lumezi tha se në vitin që shkoi ka pasur rritje të efikasitetit duke u zgjidhur raste të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit e tjera. Kryeprokurori tha se në vitin e kaluar janë zgjidhur 63 mijë e 55 lëndë.

“Prokurorët e Shtetit gjatë vitit 2016 kanë zgjidhur gjithsejtë 63 mijë e 055 lëndë të natyrave të ndryshme që tregojnë shumë për punën e prokurorëve të shtetit. Nëse bëjmë krahasimin me vitin 2015 sa i përket lëndëve të ndryshme rezulton se në vitin 2016 kemi pasur rritje të theksuar të numrit të lëndëve të zgjidhura, përkatësisht gjatë këtij viti kemi zgjidhur 20 mijë 782 lëndë të natyrave të ndryshme me shumë se sa në vitin e kaluar”, tha Lumezi.

Për më tepër Lumezi theksoi se është krijuar një klimë mosbesimi në sistemin e drejtësisë për shkak të efikasitetit të ulët në luftën kundër korrupsionit, por pavarësisht këtij vlerësimi, sipas tij, Prokuroria e Shtetit ka pasur rezultate konkrete, duke vërtetuar se janë të vendosur të hetojnë të gjitha rastet që përmenden në media, në të cilat përfshihen zyrtarët publikë.

“Në këtë drejtim kemi hetuar dhe ngritur akuza për herë të parë, për ministra, ish-ministra, deputetë, kryetar të komunave, zëvendëskryetar të komunave, ish-kryetar të komunave, kryetar të gjykatave, ish-gjyqtarë, prokurorë, policë, sekretarë permanent, mjekë, si dhe anëtarë të bordeve të ndryshme, drejtues të ndërmarrjeve publike, menaxherë dhe zyrtarë të prokurimit, oficerë të shërbimeve korrektuese, këshilltarë komunal, avokatë, noterë, inspektorë dhe kryeinspektorë, operatorë ekonomik dhe shumë zyrtarë të tjerë. Vetëm gjatë vitit 2016 kemi zgjidhur 468 kallëzime penale me 1164 persona për vepra penale të korrupsionit, ndërsa gjatë vitit 2016 kemi pranuar 438 kallëzime penale me 849 persona”, theksoi Lumezi.

Lumezi ka thenë në bashkëpunim me Policinë dhe AKP-n për herë të parë pas 15 viteve kanë arritur që nëpërmjet procedurave penale t’i largojnë uzurpatorët nga pronat e uzurpuara, të cilët deri atëherë ishin të paprekshëm.

Duke folur për krimet e luftës, kryeprokurori i Shtetit tha se gjatë periudhës raportuese Prokuroria e Shtetit ka pranuar 9 raste, ndërsa janë zgjidhur 33 raste. Sipas tij, për 47 persona për krime lufte janë pushuar hetimet, për 17 persona është hedh kallëzimi penal, ndërsa, për 5 persona është ngritur aktakuza dhe kanë filluar seancat gjyqësore.

Sa i përket sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, Lumezi tha se gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar pasuri në vlerë rreth 60 milionë euro, derisa kanë konfiskuar pasuri në vlerë mbi një milion euro.

“Me gjithë rezultatet pozitive, Prokuroria e Shtetit është përballur edhe me shumë pengesa vështirësi dhe sfida që kanë të bëjnë me ndryshimin e kornizës ligjore, me buxhetin e pamjaftueshëm, me plotësimin e pozitave të lira për prokuror, numrin e lëndëve të trashëguara, numrin e vogël të bashkëpunëtorëve profesional dhe ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm, mungesën e zyrtarëve për komunikim, si dhe trajtimin e rasteve përmes procedurave alternative”, ka thënë Lumezi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)