Projekti Prishtinë Shkup nuk është transparent
Prishtinë, 26 qershor - Qeveria e Kosovës, ka paralajmëruar ndërtimin e autostradës që lidhë Kosovën me Maqedoninë. Edhe pse projekti është prezantuar vitin e kaluar, sipas Ministrisë se Infrastrukturës, ende nuk dihet forma e financimit dhe periudha e shpalljes së interesit.
Në anën tjetër udhëheqës të shoqatës të rrugëve të Kosovës, vlerësojnë se autostrada Prishtinë- Shkup do të kushtojë mbi 500 milion euro, ndërsa partneriteti publiko-privat, sipas tyre, është forma e duhur.
Pas autostradës Vërmicë Merdarë, ekzekutivi i vendit, tashmë ka paralajmëruar edhe ndërtimin e autostradës Prishtinë- Shkup.
Për këtë projekt Ministria e Infrastrukturës, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, por që ende nuk është e qartë mënyra e financimit dhe koha e shpalljes se interesit.
Kështu thotë ministri i infrastrukturës, Fehmi Mujota, dhe shton se për këto çështje do të vendosë qeveria.
Ministria e Infrastrukturës ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura profesionale që i takojnë si ministri. Projekti zbatues për është i përfunduar. Procedurat janë të tilla që ne duhet ti prezantojmë në qeveri, mënyrën e financimit dhe ndërtimit të rrugës. Do të merret një vendim në Qeverinë e Kosovës për të shpallur interesin publik, dhe më pas do të shihet se cila do të jetë mënyra dhe vendimi i qeverisë për fillimin e ndërtimit të kësaj autostrade, thotë ministri Mujota.
Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para disa ditësh, ka bërë të ditur se brenda një periudhe prej 60 ditësh, do të bëhet shpallja e interesit për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Shkup.
Ndërsa, për mënyrën e financimit të kësaj autostrade, gjatë prezantimit të projektit, ish ministri Fatmir Limaj, në fund të vitit të kaluar, pati deklaruar se do ti jepet përparësi partneritetit publiko privat.
Gjatë kësaj jave, ministri i infrastrukturës Fehmi Mujota, ka thënë se ndërtimi i autostradës më partneritet publiko privat, nuk ka treguar rezultat të mirë, kështu që ai ka rekomanduar që ndërtimi të bëhet sipas modelit të kontratës tradicionale.
Në anën tjetër udhëheqës të Shoqatës Kosovare për Ndërtimin e Rrugëve, thonë se qeveria nuk ka qenë transparente lidhur më projektin e autostradës Prishtinë Shkup.
Eljesi Surdulli, drejtor ekzekutiv i kësaj shoqate, thotë se ekzekutivi ka prezantuar projektin, por sipas tij, ai nuk është bërë publik.
Megjithatë, Surdulli, pohon se në mungesë të mjeteve buxhetore, e vetmja formë për financimin e kësaj auto-udhe mbetet partneriteti publiko-privat.
Ai vlerëson se ndërtimi i kësaj autostrade do të kushtojë rreth 500 milion euro.
Projekti i përfunduar sipas Ministrisë së Infrastrukturës nuk është transparent dhe nuk kemi qasje të dimë masat dhe përllogaritjet, mirëpo prej përvojës dhe gjatësisë së rrugës, ne kemi paraparë që mbi 500 milion euro të jetë vlera e investimit. Forma e investimit gjithsesi do të jetë PPP, për shkak të mungesës se buxhetit, thotë Surdulli.
Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.
Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra.
Duke folur për rëndësinë dhe nevojën e kësaj autostrade, ministri i infrastrukturës, Fehmi Mujota, konsideron se autostrada, përveç se do të lidh Kosovën me Maqedoninë, do të jetë e rëndësishme edhe për vendet e rajonit.
Autostrada Prishtinë- Shkup është e një interesi nacional dhe do të ketë lidhje të fuqishme të infrastrukturës rrugore jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin, meqë lidhë dy korridore, korridorin 8 dhe korridorin 10, sqaron ministri.
Shpejtësia maksimale në autostradë, sipas projektit, do të jetë 120 kilometra në orë. (REL)