Projekti në rrugën “Marin Barleti” në Prizren hap rrugët për investime
Prizren, 17 prill - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në aktivitetin e prezantimit të projektit: “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”. Ky projekt është iniciuar që nga viti 2017 dhe është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata EC Ma Ndryshe. Projekti në fjalë është financuar nga MKRS-ja, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit.
Në këtë prezantim që u mbajt në Doku Kino, morën pjesë edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, zëvendës udhëheqësi për bashkëpunim-Zyra e BE-së, Libor Chlad dhe përfaqësues të Komunës së Prizrenit.
Me këtë rast ministri Gashi fillimisht falënderoi të gjithë ata që kanë punuar në realizimin e këtij projekti edhe përkundër sfidave me të cilat janë ballafaquar në terren.
“Falënderoj në veçanti stafin e QRTK-së në Prizren të cilët së bashku me partnerë lokal dhe ndërkombëtar, me zell e përkushtim kanë arritur të hartojnë ketë projekt shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës”.
Ministri po ashtu tha se ky projekt i hap rrugët për investime në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit dhe me këtë rast falënderoi edhe pronarët e ndërtesave të lagjes të cilët siç tha ministri treguan gatishmëri për tu bërë palë në këtë proces tejet të ndërlikuar por shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre por edhe të qytetit të Prizrenit.
“Rruga ‘Marin Barleti’ zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit”, tha ministri Gashi.
Ai më tej sqaroi se projekti është ndarë në dy komponentë, atë të konservimit dhe të zhvillimit.
Ministri Gashi ritheksoi zotimin e tij se MKRS-ja do të vazhdojë ta trajtoj me prioritet Qendrën Historike të Prizrenit, e me theks të veçantë rrugën “Marin Barleti”, në aspektin ligjor, profesional dhe buxhetor.
“Pa dyshim që në këtë aspekt, edhe pres përkushtimin e Komunës së Prizrenit që të angazhohen në këtë drejtim me qëllim të koordinimit të punëve dhe veprimeve tona të përbashkëta të cilat do të shkojnë në dobi të ruajtjes së Qendrës Historike të Prizrenit e cila përveç që paraqet vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore dhe historike për vendin donë, na detyron të gjithë ne bartësve të institucioneve për angazhim maksimal”, u shpreh ministri Gashi.
Në fund, ministri ftoi të gjithë që të bëhen pjesë e procesit duke dhënë rekomandimet e tyre për të cilat ai siguroi se do të vlerësohen.