Projekti i varrezave të reja e zgjidh problemin e Gjilanit
Gjilan, 6 qershor – Drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Bekim Bajrami, në konferencën për gazetarët të enjten, ka konfirmuar se projekti i varrezave të qytetit do të përfundoj gjatë vitit 2019.
“Ky projekt e zgjidh problemin e Gjilanit për 50 vitet e ardhshme, përderisa varrezat e vjetra po konzervohen dhe po vendosen emërtimet sipas konfesioneve fetare”, ka thënë Bajrami.
Duke folur për punën pesë mujore, Bajrami tha se kjo Drejtori është në fazën e përfundimit të Planit Zhvillimor Komunal (PZhK) dhe Hartës Zonale të Komunës (HZK).
“Tani pas përfundimit edhe të punëtorisë së organizuar me të gjithë sektorët e brendshëm, kompanitë publike, shoqërinë civile, ndërtuesit dhe ekspertët e jashtëm kemi arritur të bëjmë draftin final dhe tani procedurat e mëtutjeshme me MMPH dhe aprovimin në Kuvend. Gjatë kësaj kohe janë organizuar debate në të gjitha zonat e qytetit së bashku me fshatrat. Janë mbajtur mbi 25 debate dhe shumë takime me njerëz profesionistë të fushave të ndryshme, me pjesëmarrje masive, ku për herë të parë kanë qenë të pranishëm edhe komunitetet pakicë”, tha ai.
I pari i Drejtorisë së Urbanizmit njoftoi se stafi përgjegjës për legalizimin e objekteve pa leje është në gatishmëri pas aprovimit të Ligjit të Legalizimit të objekteve nga niveli qendror dhe udhëzimit administrativ për implementim të këtij ligji, ndërkaq ka informuar se tashmë kanë marrë ofertat për hartimin e projekteve të tri parqeve, Parku i Paqes, Parku Baja dhe Parku i Pajtimit, që në total kapin sipërfaqe prej 14 hektarë.
“Përpos këtyre, shenjëzimi i rrugëve është në përfundim e sipër, sikurse edhe po punojmë shumë edhe në krijimin e Zonës Ekonomike Ndërkomunale Gjilan-Novobërdë, duke ndërlidhur 13 komuna dhe tri shtete. Një punë të madhe po bëhet edhe në hartimin e planit të studimit të fizibilitetit për instalimin e gasit natyror, projekt ky i pari në Republikë”, ka përfunduar drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Bekim Bajrami.