Privatizimi i PTK do të diskutohet në Kuvend
Prishtinë, 19 korrik - Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Myzejene Selmani, kryetare, shqyrtoi Propozim Strategjinë e Qeverisë për Privatizimin e Post-Telekomunikacionit të Kosovës (PTK).
Strategjia e Qeverisë së Kosovës për Privatizimin e Post-Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), është diskutuar edhe në dy mbledhjet paraprake. Në mbledhjen e sotme Komisioni mori vendim që ti rekomandohet Kryesisë së Kuvendit që ta procedojë për në seancë plenare sipas rregullores.
Të gjithë jemi për ekonomi të tregut, Strategjia e Qeverisë për privatizimin e PTK-së duhet të diskutohet në Kuvend, dhe aty duhet vendosur kur dhe si do të bëhet privatizimi i PTK-së, u tha në Komision.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni miratoi edhe raportin me rekomandime të grupit punues për Projektligjin e inspektoratit të tregut dhe mbikëqyrjen inspektuese.