25 Dhjetor 2024

Prishtina e Shkupi lidhen me autostradë brenda tri vjetësh

Ohër, 10 dhjetor - Në Ohër është zhvilluar takimi trepalësh midis ministrave të Transportit dhe Infrastrukturës të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Mundësia për liberalizimin e transportit të mallrave midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës si dhe realizimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore kanë qenë temat e takimit trepalësh midis ministrave përkatës të Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, Mile Janakievski i Maqedonisë dhe Fehmi Mujota e Kosovës.

Ministrat Janakievski dhe Haxhinasto biseduan edhe për vënien në përdorim të linjës së tragetit midis Ohrit dhe Pogradecit, por vetëm gjatë sezoneve të caktuara turistike. Kjo çështje vazhdon të diskutohet vite me radhë midis dyja vendeve, por akoma pa një zgjidhje konkrete.

“Në takimin e sotëm u bisedua për mundësinë e vënies në përdorim të linjës sezonale të një trageti midis Ohrit dhe Pogradecit, pasi që analizat e realizuara kanë treguar se nuk ka interes ekonomik për vënien në përdorim të një linje të rregullt”, tha dje ministri Janakievski pas mbledhjes.

Sipas tij, në takimin e caktuar në janar të vitit të ardhshëm përfaqësues të më shumë institucioneve nga të dyja vendet do të përgatisin një plan aksional për mënyrën e rregullimit të procedurave të kontrolleve doganore dhe procedurave tjera.

Ministri Janakievski vlerësoi takimet e tilla ministrore që kanë ndikimin në thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha. Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto theksoi se me këto takime intensifikohet procesi i bashkëpunimit për projekte të rëndësishme infrastrukturore. “Temat që diskutuam në këtë takim vërtetojnë gatishmërinë e vendeve tona për thellimin e bashkëpunimit, realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukutore që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik”, theksoi ministri Haxhinasto.

Ai tha se për Shqipërinë me rëndësi të veçantë janë projektet infrastrukturore që lidhen me pjesën e Korridorit 8. Haxhinasto nënvizoi nevojën e shpejt të vënies në përdorim të linjës së tragetit në Liqenin e Ohrit, që do të lidh të dyja vendet. Sipas tij, më 17 janar të vitit të ardhshëm do të zhvillohet takimi i radhës midis grupeve punuese të të dyja vendeve për të nisur sa më shpejt me realizimin e këtij projekti të lëvizjes së lirë së qytetarëve dhe transportit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Kosovës, Fehmi Mujota theksoi se takimi ishte i rëndësishëm edhe për palën kosovare, pasi që ishte një mundësi e mirë për shkëmbimin e informacioneve për aktivitete konkrete që kanë të bëjnë me përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore. “Qeveria e Kosovës në këtë drejtim është në fazën finale të projektit për lidhjen e Kosovës me Maqedoninë me autostradën e re Prishtinë – Shkup. Ky projekt vlerësojmë se do të kryhet në një afat prej tre viteve”, deklaroi ministri Mujota.

Në këtë takim, ministri Janakievski informoi kolegët e tij nga Shqipëria dhe Kosova edhe për aktivitetet që po realizon Maqedoni në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, ndërtimin e autostradës Ohër – Kërçovë, që është një arterie kryesore si pjesë e Korridorit 8 për lidhjen me Shqipërinë, ndërtimin e linjës hekurudhore në kuadër të Korridorit 8 dhe projekte tjera që janë në interes rajonal.

Në këtë takim në Ohër, tre ministrat janë dakorduar për mbajtjen e një takimi të këtij formati në shkurt të vitit të ardhshëm, ku do të diskutohen çështjet dhe prioritetet për projekte infrastrukturore. (ina)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)