Prezantohet Autostrada e tretë në Kosovë, Prishtinë-Gjilan-Konҫul
Gjilan, 15 korrik - Sot u prezantua projekti i Autostradës së tretë në Kosovë, Prishtinë - Gjilan - Konçul.
Ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor do të ketë gjatësi 47.1 kilometra dhe do të përbëhet prej shtatë segmenteve. Gjerësia e kësaj autostrade do të jetë 32 metra, ndërsa në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen katër ura.
Kjo autostradë do të lidhë koridorin 6, 7 dhe 10.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, theksoi se: Është kënqësi për mua që të ju drejtohem në këtë takim të rëndësishëm në të cilin po shpalosim disa nga projektet më vitale për ekonominë e Kosovës, me theks në komunën e Gjilanit dhe tërë Anamoravën. Më duhet të theksoj se ky takim konfirmon seriozitetin e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lidhmërisë së të gjitha qyteteve dhe vendbanimeve të kësaj ane me tërë Kosovën.
Listën e projekteve të mëdha për vendin tonë po e përmbyllim me autostradën Prishtinë Gjilan Dheu i Bardhë në gjatësi prej 47.1 kilomtra, që është edhe arsyeja kryesore e këtij takimi të sotshëm. Tanimë ne kemi dorëzuar në BERZH projektin preliminar si dhe draftin fillestar të Vlerësimit të Ndikimit Shoqëror dhe Mjedisor dhe presim përgjigje pozitive nga ata. Në ndërkohë ne po shqyrtojmë edhe mundësinë e fillimit të financimit të segmentit të parë të ketij projekti gjegjësisht segmentin Prishtinë Gjilan përmes buxhetit të Republikës së Kosovës, gjë që do të reflektohet në buxhetin për vitin 2017.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, shprehu falënderimin për Ministrinë e Infrastukturës, përkatësisht ministrin, Lutfi Zharku, për përkrahjen e madhe në investimet infrastrukturore në këto anë.
Pjesëmarrës në këtë prezantim ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i komunës së Kllokotit Sreqko Spasiq, kryetari i komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe kryetari i komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq.