Prej të hënës ndalohen kombibusët në Mitrovicë
Prishtinë, 21 mars - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të premten në takim përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës, më të cilët bisedoi rreth rregullimit të transportit publik në Komunën e Mitrovicës.
Palët u dakorduan që të bashkëpunojnë për vendosjen e rendit dhe rregullit në këtë drejtim.
Drejtori i Inspektoratit në Ministrinë e Infrastrukturës, Qerkin Dekolli, kërkoi nga Komuna e Mitrovicës që të merr të gjitha masat që Ligji për Transportin Publik të respektohet.
Ne dëshirojmë që të kemi një bashkëpunim sa më të afërt me ju, që Ligji i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës të respektohet, ka thënë Dekolli.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka shprehur vullnetin e tij që ky Ligj të respektohet në përpikëri.
E di që do të ketë edhe kundërshtime, por një Ligj i tillë, i cili është miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës duhet të zbatohet, tha ai, duke bërë të ditur se prej të hënës do të ndalohet qarkullimi i kombibusëve.
Bedri Ferati nga Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të mbikëqyrë implementimin e këtij ligji.
Sipas tij Policia e Kosovës duhet që të ndërmerr masa ndaj shkelësve të ligjit. Ne jemi të gatshëm që të zbatojmë ligjin në përpikëri, mirëpo ka shumë vështirësi, tha ai.