Posta Shqiptare dhe Posta e Kosovës thellojnë bashkëpunimin
Prishtinë, 13 shkurt - Një delegacion i Postës Shqiptare në krye me Drejtorin e Përgjithshëm Ardit Çela kanë vizituar sot Postën e Kosovës me çrast është biseduar për identifikimin e fushave për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy kompanive publike postare.
Udhëheqës të Postës Shqiptare janë pritur nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve Halit Isufi, Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe zyrtarë tjerë të lartë të Postës së Kosovës.
Fillimisht, Haliti dhe Hoxha kanë njoftuar delegacionin nga Shqipëria për rrugën nëpër të cilën ka kaluar ndërmarrja e re publike Posta e Kosovës drejt konsolidimit dhe arritjes së objektivave.
Kemi kaluar një vit me sfida, mirëpo kemi arritur që të shënojmë rritje të hyra duke ju falënderuar angazhimit të menaxhmentit dhe të gjithë punonjësve. Me Postën Shqiptare kemi nevojë të ndërtojmë ura të reja të bashkëpunimit për shkëmbim të përvojave dhe ndihmë reciproke, ka thënë Halit Isufi, Kryesues i Bordit të Drejtorëve.
Drejtori i Postës Shqiptare, Ardit Çela si dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë shprehur gatishmëri të plotë që partneriteti me Postën e Kosovës të thellohet edhe më tutje.
Ai dhe Kryeshefi Sejdi Hoxha janë pajtuar që të gjitha çështjet e ngritura në takim të trajtohen dhe implementohen nga një grup i përbashkët punues me ekspertë të të dyja kompanive.
Do ta keni përkrahjen tonë të padiskutueshme. Grupi Punues do të merret me të gjitha çështjet dhe do ta ketë përkrahjen time të qindpërqindtë, ka thënë Çela.
Kryeshefi Sejdi Hoxha theksoi se Posta e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje të të hyrave për 11 për qind dhe përkundër konkurrencës së madhe nga kompani postare ndërkombëtare dhe vendore, Posta e Kosovës, sipas të dhënave të publikuara nga ARKEP, mbulon rreth 80 për qind të tregut postar në Republikën e Kosovës.
Pas diskutimeve se në cilat fusha mund të zgjerohet bashkëpunimi me Postën Shqiptare, Kryeshefi Hoxha tha se është plotësisht i bindur se do të ketë rezultate konkrete pozitive.
Drejtori i Postës Shqiptare, Ardit Çela përgëzoi menaxhmentin për licencimin e Postës së Kosovës për shërbime financiare jo-bankare. Ai gjithashtu foli rreth përvojës së Postës Shqiptare e cila ka arritur sukses të madh përmes këtij shërbimi.
Ju uroj për shërbimin e ri financiar që është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës sepse ju do tu ofroni mundësinë të kryejnë pagesa të ndryshme në çdo cep të Kosovës, ka thënë Çela.
Zyrtarë të Postës Shqiptare janë zotuar se do të mbështesin në çdo aspekt anëtarësimin e Postës së Kosovës në organizata postare ndërkombëtare.