Posta nënshkruan marrëveshje për shitjen e produkteve të lotarisë
Prishtinë, 25 shkurt - Posta e Kosovës ka firmosur edhe një marrëveshje për shitjen e produkteve të Lotarisë së Kosovës.
Marrëveshja u firmos nga Kryeshefi Ekzekutiv i PK-ës, Sejdi Hoxha dhe Drejtori i Lotarisë së Kosovës Bashkim Sllamniku.
Objekt i kësaj marrëveshje është ofrimi i shërbimeve nga Posta e Kosovës për shitjen e produkteve, respektivisht pranimin e pagesave për pjesëmarrje në lojërat e fatit që i organizon Lotaria e Kosovës, në cilësi të Agjentit me porosi të organizatorit, në emër dhe në llogari të Lotarisë së Kosovës si Organizator.
Hoxha gjatë ceremonisë së firmosje theksoi se Posta e Kosovës është e orientuar drejt konsumatorit dhe ofrimit të një game sa më të madhe të shërbimeve dhe produkteve për qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj që nga ndarja e PK-ës nga PTK sh.a. moto e Postës së Kosovës është që tani e tutje të jetë e hapur për lansimin e produkteve dhe shërbimeve për të gjitha institucionet publike edhe ato private njëlloj si për Vala-n dhe Telekomin.
Ai ka thënë se Posta e Kosovës me rastin e konsolidimit të sajë si ndërmarrje e pavarur ka trashëguar si aset të gjitha Zyrat Postare me një shpërndarje të gjerë në tërë territorin e Kosovës të cilat nëse shfrytëzohen racionalisht dhe me një strategji adekuate biznesore mund të jenë fitimprurëse.
\"Ne posedojmë me më shume se 500 sportele në këto Zyra Postare të cilat do tí shfrytëzojmë për zhvillimin e shërbimeve postare por edhe për ofrimin e produkteve të kompanive të ndryshme të R. së Kosovës.\"
\"Tani jemi ne fazën e aplikimit për marrje të licencës pranë BQK-ës për ofrimin e shërbimeve Financiare Jo-Bankare ku besoj se së shpejti të gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë edhe në zonat më të largëta rurale të kryejnë pagesat e ndryshme si: faturat e ujit, faturat e energjisë, pensionet, etj. përmes Zyrave Postare\", ka theksuar ai.
Kontrata e firmosur sot do të reflektoj pozitivisht për të dyja palët dhe ju siguroj se klientëve të Lotarisë së Kosovës do të ju ofrojmë shërbimin e plotë përmes zyrave postare të cilat janë shumë të frekuentuara dhe me një qasje serioze të punëtorëve të trajnuar për ofrimin e këtij shërbimi.
Hoxha gjithashtu theksoi se në Postën e Kosovës jemi duke punuar që të krijojmë në radhë të parë seriozitet ndaj klientëve, ku sfidën dhe suksesin e shohim në implementimin azhur dhe adekuat të këtyre kontratave deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të kontraktuara e jo në numrin e kontratave të firmosura nga PK-SH.A.
\"Jemi të orientuar drejt konsumatorëve dhe në një rruge të mirë për lansimin e produkteve dhe shërbimeve të institucioneve të ndryshme publike dhe private, ku çdo kompani me rastin e përzgjedhjes së Postës së Kosovës Sh.A. si agjent të sajin do ta konsideroj si një avantazh dhe investim drejt suksesit të biznesit të tyre.\"