Posta nderon olimpistët kosovarë
Prishtinë, 29 korrik - Posta e Kosovës ka lëshuar të premten në qarkullim dy pulla postare për nder të pjesëmarrjes së parë të sportistëve të Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike.
Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha ka prezantuar edicioni e ri të pullave në një ceremoni të mbajtur së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Kryeshefi ka përgëzuar KOK-un dhe të gjithë sportistët që pas një rruge të gjatë e të mundimshme arritën të realizojnë ëndrrën e tyre për pjesëmarrje të barabartë në Rio 2016 duke theksuar se kjo është një e arritur jashtëzakonisht e madhe jo vetëm për sportistët tanë të talentuar, por edhe për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Presim me padurim që ekipin Olimpik të Republikës së Kosovës ta shohim duke parakaluar në mesin e të gjitha shteteve të botës. Sporti dhe sportistët e suksesshëm janë ambasadorët më të mirë të një vendi, ata që ndikojnë në përmirësimin e imazhit dhe reputacionit të një shteti, ka thënë kryeshefi Hoxha.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për suksesin e sportistëve kosovarë, kryshefi Hoxha u ka dhuruar presidentit të KOK-ut, Besim Hasani dhe kampiones Majlinda Kelmendi, pullat postare të punuara në pllakë bronzi. Gjithashtu, ekipit olimpik i janë dhuruar njëqind pulla postare.
Kryeshefi i Postës ka uruar olimpistët të arrijnë suksese maksimale në Rio 2016 dhe të stolisën me medalje.
Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të nderojë dhe promovojë të arriturat në sportin kosovar.