Posta nderon dëshmorët Luan Haradinaj dhe Skënder Rexhepi
Në ceremoninë e mbajtur në Postën e Kosovës kanë marrë pjesë anëtarë të familjes Haradinaj dhe Rexhepi, bashkëluftëtarë të dy dëshmorëve, deputeti Rafet Rama, Isa Krasniqi, Besim Rexhepi e të tjerë si dhe zyrtarë nga Posta e Maqedonisë.
Luan Haradinaj është një prej figurave më të shquara të UÇK-së, është ndër pushkët e para qe dha kushtrimin për liri. Vepra tij por edhe e tërë familjes Haradinaj është pjesë e ndritur e historisë së popullit shqiptar me të cilën mburremi të gjithë, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv, Sejdi Hoxha, gjatë fjalës së tij.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dëshmorët e saj janë themeli i lirisë dhe shtetit tonë.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Gjeneral Luan Haradinaj është dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës.
Bashkëluftëtari Luanit, Skënder Rexhepi nga Mrasori i Rahovecit në moshë të re iu bashkua Lëvizjes Ilegale, atdhetarëve më të devotshëm të Kosovës. Së bashku me shokët e tij, në fillim të viteve të 90-ta, Skënderi nuk do të kursej asgjë për përgatitjen e kryengritjes së armatosur.
Dëshmori Skënder Rexhepi është ndër pjesëtarët e parë dhe bashkëthemelues i celulave të para të UCK-së. Skënderi ishte Komandant i njësiteve ushtarake Hekuri. Shtëpia e tij ishte bazë e fuqishme dhe e sigurt e UÇK-së, ka thënë kryeshefi Hoxha.
Dëshmori Skënder Murat Rexhepi është dekoruar me Medaljen Luftëtari i Lirisë Adem Jashari.
Në shenjë respekti, Kryeshefi Sejdi Hoxha u ka dorëzuar familjes Haradinaj dhe familjes Rexhepi, pullat postare të punuara në bronz si dhe pullat postare në kornizë.
Për emetimin e pullave postare, Postën e Kosovës e kanë falënderuar Daut Haradinaj dhe djali i dëshmorit Skënder Rexhepi, Altini.
Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të përkujdeset që vlerat tona historike dhe kombëtare të promovohen përmes imazheve të pullave postare.