25 Dhjetor 2024

Posta me pullë postare për Kampionatin Botëror të Karatesë

Prishtinë, 3 prill - Posta ka nderuar Federatën e Karateistëve të Kosovës duke emetuar sot dy pulla postare me rastin e mbajtjes së Kampionatit Botëror të Karatesë Shotokan në Prishtinë.

Promovimi i pullave postare është bërë sot në Shtëpinë e Sportit në Prishtinë. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë ministri i MZHE-së, Fadil Ismajli, zëvendësministri i MKRS-së, Hajdin Abazi, Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Fadil Arifi si dhe nga Posta e Kosovës: Kryetari i Bordit të Drejtorëve, Halit Isufi, Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe  Zyrtari Kryesor i Financave dhe Thesarit, Behxhet Maliqi.

“Prej sot, kur këto dy pulla janë vënë në qarkullim, mijëra letra e dërgesa tjera postare do të udhëtojnë nëpër botë me imazhin e karateistëve kosovarë dhe mbishkrimin ‘Kampionati Botëror i Karatesë Shotokan – Kosova 2014’”, ka thënë Kryeshefi Hoxha.

Ai premtoi se Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të promovojë të arriturat e sportit kosovar përmes emetimit të pullave postare, siç është rasti i emetimit të pullave postare me portretin e xhudistes sonë me famë ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi.

Kryeshefi Hoxha i ka dhuruar Federatës së Karatesë dhe dy përfaqësuesve të Qeverisë pullat postare të gravura në bronz. Federatës së Karatesë i janë dhuruar edhe 160 pulla postare të cilat mund t’i përdorin për komunikim me federata ndërkombëtare.

Në shenjë falënderimi, Kryetari i Federatës së Karatesë, Fadil Arifi, u ka ndarë nga një medalje ministrit Ismajli, zëvendësministrit Abazi dhe kryeshefit Hoxha.

Karateja është mjaft e popullarizuar në Kosovë, ndërkaq karateistët kosovarë janë stolisur me medalje edhe në kampionate ndërkombëtare.

Kampionati Botëror i Karatesë Shotokan mbahet më 4-6 prill në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)