Posta me ATK-në kursejnë kohën dhe paratë e qytetarit
Prishtinë, 1 prill - Pas disa raportimeve në media të caktuara rreth Marrëveshjes mes Postës dhe ATK-së, jemi të obliguar të sqarojmë edhe një herë të gjithë qytetarët lidhur me dorëzimin e kuponëve fiskalë.
Nga sot të gjitha plikot/zarfet me kuponë fiskalë dorëzohen në një nga zyrat më të afërta postare të Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës Sh.A.
Pse kjo Marrëveshje mes Postës dhe ATK-së është në dobi të qytetarëve?
Deri më tani kuponët fiskalë kanë mundur të dorëzohen në vetëm 7 Regjione (Zyra) të ATK-së, në 7 qytetet më të mëdha të Kosovës. Qytetarëve nga Regjioni i Prishtinës (Podujeva, Drenasi, Lipjani, Fushë Kosova, Obiliqi, Graçanica, Artana) u është dashur të vijnë në Prishtinë dhe për të dorëzuar një kupon fiskal të presin deri në 4-5 orë. Gjithashtu, u është dashur të shpenzojnë për udhëtim, ushqim, etj.
Ndërkaq, kjo Marrëveshje eliminon këto vështirësi për qytetarët. Vetëm në Regjionin e Prishtinës, Posta i ka mbi 45 zyra postare. Në çdo komunë kemi zyra postare, përfshirë edhe në vendbanime rurale që shumica punojnë nga ora 08:00 -21:00, edhe gjatë vikendeve.
Për dorëzimin e plikos (zarfit) me kuponë fiskalë në Postë shërbimi kushton 50 centë. Këtu përfshihet verifikimi i numrit të plikos të cilin qytetari e merr nga ATK përmes aplikacionit në internet, grumbullimi dhe bartja e plikove me kuponë fiskalë nga të katër anët e Kosovës deri në zyrën e caktuar nga ATK. Ky shërbim kushton dhe këto janë tarifa të aprovuara nga ARKEP dhe Posta duhet ti respektojë ato.
Kjo Marrëveshje kursen kohën dhe paratë e qytetarit.
Posta dhe ATK janë të kënaqura që kanë arritur të eliminojnë të gjitha këto vështirësi me të cilat janë ballafaquar qytetarët.