Posta Mbretërore mbështet Postën e Kosovës
Londër, 20 mars - Posta Mbretërorë e Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë Postën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në organizata postare ndërkombëtare si dhe është arritur pajtimi për rritjen e efikasitetit në komunikimin postar mes dy kompanive.
Kjo është konfirmuar gjatë takimit që është mbajtur në selinë qendrore të Postës Mbretërore në Londër. Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe Drejtoresha e Resurseve Njerëzore, Xhyljetë Izmaku janë pritur nga zyrtarët e lartë të Postës Mbretërore, Mark Thomson dhe Mike Newnham.
Palët kanë diskutuar edhe për gjetjen e një rruge alternative në mënyrë që dërgesat postare nga Mbretëria e Bashkuar të mbërrijnë më shpejt në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe lidhur me blerjet online të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përkatësisht për lehtësimin e kësaj procedure.
Kryeshefi Hoxha ka njoftuar përfaqësuesit e Postës Mbretërore me të arriturat, sfidat si dhe me projektet të cilat është duke i realizuar Posta e Kosovës me qëllim që të ofrojë shërbime të standardeve evropiane.
Të dyja palët janë zotuar për zgjerim të bashkëpunimit në interes të konsumatorëve të të dyjave vendeve.
Delegacioni i Postës së Kosovës i udhëhequr nga Kryeshefi Sejdi Hoxha ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare në Londër ku është diskutuar rreth sfidave me të cilat përballet shërbimi postar në Evropë.