25 Dhjetor 2024

Posta lobon për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Londër 18 mars - Një delegacion i Postës së Kosovës po merr pjesë në konferencën  ndërkombëtare në Londër ku do të diskutohet rreth sfidave me të cilat përballet shërbimi global postar, me theks të veçantë në Evropë.

Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha ka qenë folësi i parë në këtë konferencë në të cilën po marrin pjesë qindra  ekspertë të Postave më të mëdha publike dhe private të Evropës.

Hoxha ka bërë një prezantim rreth temës “Modelet e reja operative për sfidat e reja postare”. Ai ka paraqitur para homologëve të tij zgjidhje të ndryshme për shpërndarje më efektive të dërgesave postare siç janë pakot, zbatimin e të arriturave teknologjike në industrinë postare; uljen e shpenzimeve pa ndikim në shërbimet cilësore për konsumatorë, përshtatjen e rrjetit shpërndarës në përputhje me rritjen e numrit të pakove dhe çështje tjera me të cilat përballet sot shërbimi postar në Evropë.

Prezantimin Kryeshefi Hoxha e ka filluar me një histori të zhvillimit postar në Kosovë, të arriturat e Postës së Kosovës dhe sfidat me të cilat përballet si pasojë e mungesës së anëtarësimit në organizatat më të mëdha ndërkombëtare postare siç është Unioni Postar Universal (UPU), PostEurop, etj.

Kryeshefi Hoxha ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në konferencë që të angazhohen për anëtarësimin e Postës së Kosovës në këto organizata ndërkombëtare në mënyrë që të ketë mundësi të ofrojë të gjitha shërbimet sikurse postat tjera evropiane.

Pas këtij prezantimi, Hoxha i cili ka qenë pjesë e panelit të parë së bashku me përfaqësuesin e PostNord, kompani postare e Suedisë dhe Danimarkës si dhe përfaqësuesen e Postës Holandeze, u janë përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrëseve në konferencë.


Posta e Kosovës ka qenë anëtare e UPS-së dhe PostEurop por përmes Misionit të UNMIK-ut. Pas shpalljes së pavarësisë ky anëtarësim është ndërprerë për shkaqe politike.

“Besoj në përkrahjen tuaj për kthimin e anëtarësimit të Postës së Kosovës në UPU, PostEurop dhe organizma tjerë postar ndërkombëtarë”, u ka thënë Hoxha homologëve të tij evropian.

Kryeshefi bëri të ditur se ka marrë mbështetje të madhe nga përfaqësues të postave evropiane që Posta e Kosovës të përfshihet në organizatat ndërkombëtare.

Gjatë pjesëmarrjes treditore në këtë konferencë, Kryeshefi Hoxha si dhe anëtarët tjerë të delegacionit të Postës së Kosovës, Halit Isufi, kryesues i Bordit të Drejtorëve, Shefqet Avdija, Zëvendëskryeshef si dhe Xhyljetë Izmaku, Drejtoreshë për Resurse Njerëzore do të takohen  me përfaqësues të kompanive të ndryshme postare për diskutuar rreth bashkëpunimit të mundshëm si dhe për të lobuar për anëtarësim të Postës në mekanizmat ndërkombëtar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)