Posta lëshon emisionin e ri të pullave postare
Prishtinë, 20 mars - Filatelia e Postës së Kosovës PK sh.a. më 20 Mars 2013 në qarkullim postarë lëshon emisionin e ri të pullave postare titulluar Qytetet e Kosovës Prishtina.
Në kuadër të këtij emisioni në qarkullim postar do të lëshohen tri (3) pulla postare të cilat në motivin e vet mbajnë pamjet e Kryeqytetit dhe qytetit më të madh në Republikën e Kosovës, Prishtinës.
Autorët e dizajnëve me një stil të veçantë kanë prezantuar pamjet e Kryeqytetit dikur dhe sot.
Gërshetimi i pamjeve të arkitekturës së vjetër dhe asaj moderne prezanton zhvillimin e hovshëm të Prishtinës, e cila bazuar në të dhënat arkeologjike si vendbanim njihet që nga koha e Neolitit.
Pozita gjeografike, monumente të shumta historike e kulturore, muzetë, teatrot, bibliotekat, parku nacional, hoteleria e zhvilluar dhe popullsia mikpritëse, Prishtinën e shndërrojnë në destinacionin e preferuar për vizitorë të shumtë ndërkombëtarë.
Përmes pullave postare të këtij emisioni Filatelia e Postës së Kosovës PK sh.a. prezanton tri pamje atraktive nga qyteti i Prishtinës, me të cilat që nga data 20.03.2013 mund të furnizoheni në zyrat postare të Postës së Kosovës.
Ky emision nga programi i rregullt vjetorë përbëhet prej tri pullave postare me pamje dhe vlera të ndryshme nominale si dhe nga një Zarf i Ditës se Parë. Nominalet e emisionit janë 0.50, 0.70 dhe 1 Euro si dhe Zarfi i Ditës së Parë.