Posta lanson pullen postare “20 Vjetori i Lavdisë”
Prekaz, 6 mars - Sot në Prekaz, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha i shoqëruar nga Menaxhmenti dhe Bordi, i ka dorëzuar përfaqësuesit të familjes Jashari, Rifat Jashari, pullat e para postare nga emisioni i titulluar “ 20 Vjetori i Lavdisë “. Po ashtu, familjes Jashari i janë dhuruar edhe pullat postare të gravuara në pllakë bronzi dhe të kornizuara.
Me këtë rast, Kryeshefi Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të këtyre dy pullave postare të nderohet vepra heroike e familjes Jashari.
“Sakrifica sublime e familjes heroike Jashari, i frymëzoi dhe i mobilizoi shqiptarët për ta vazhduar luftën e armatosur deri në çlirimin e Kosovës. Prandaj, këto dy pulla postare i dedikohen Epopesë së UÇK-së e cila ishte dhe mbeti rast unik në historinë botërore”, tha Hoxha.
Qëndresa heroike e Jasharajve të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars 1998, është Epopeja më e lavdishme e luftës heroike të UÇK-së, ku pas tre ditë luftimesh në mbrojtje nga sulmi i forcave pushtuese serbe, bien heroikisht 59 dëshmorë, Komandanti Legjendar Adem Jashari së bashku me familjarë e farefis.
Këto dy pulla postare janë plotësim i njëra tjetrës. Njëra mbart imazhin e pamjes së flakës së luftës në kullat e qëndresës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari me familjarë, ndërsa pulla tjetër paraqet imazhin e mbetjeve të kullave dhe gjurmëve të lavdisë së tyre.
Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz gjatë këtyre dy dekadave e vizituan me miliona njerëz nga e gjithë bota.
Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë vlerat tona kombëtare.