Posta lanson pullat postare “Parku nacional-Blinaja”
Prishtinë, 20 shkurt - Posta e Kosovës nga sot lëshon në qarkullim të rregullt, emisionin e ri të pullave postare me titull “Parku nacional-Blinaja”.
Përmes pamjeve të pullave postare dhe bllokut filatelik, Filatelia e Postës së Kosovës prezanton njërin nga perlat natyrore, Parkun nacional “Blinaja”, i cili gjendet në kilometrin e 32-të në juglindje të Prishtinës dhe që nga viti 1955 është nën mbrojtjen e autoriteteve si “Rezervat i Mbrojtur”.
Parku nacional “Blinaja” shtrihet në një hapësirë prej rreth tre mijë hektarë. Pjesa më e madhe është e mbuluar me pyje, por bukuri të veçantë i japin 30 liqene artificiale të krijuara për nevojat e shtazëve të egra, të cilat mbajnë statusin e specieve në zhdukje apo specie të rralla.
Fauna e “Blinajës” numëron 700 specie të kafshëve të egra, si: kaprolli (Capreolus capreolus), derri i egër (Sus scrofa), dreri bri lopatë (Dama dama), derri i rëndomtë (Cervus elaphus), etj.
“Blinaja” përfaqëson një lloj të mbyllur të vend-gjuetisë, çka do thotë se nuk ka lëvizje të lirë të faunës së kultivuar dhe grabitqarëve natyrorë. Mungesa e grabitqarëve e bën gjuetinë si mjetin kryesor për të kontrolluar numrin e kafshëve apo ruajtjen e ekuilibrit biologjik, duke mos lejuar shtimin e numrit të madh të kafshëve mbi ekuilibrin biologjik dhe mbi kushtet apo mundësitë premtuese për ushqim dhe me këtë ruajtjen e këtij ekosistemi.
Filatelia e Kosovës, për çdo vit emeton pulla postare me bukuritë natyrore të vendit tonë me qëllim të promovimit të tyre kudo nëpër botë.