Posta ka 100 për qind të aseteve të paluajtshme të PTK-së
Prishtinë, 14 nëntor - Komisioni Qeveritar i Privatizimit të PTK-së (KQP) është takuar sot, për të shqyrtuar hapat e mëtutjeshëm në lidhje me përgatitjen e kësaj kompanie për një privatizim të suksesshëm.
KQP, në bazë të autorizimeve që ka nga vendimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës ka marrë vendim që të procedojë me ndarjen e njësisë së biznesit Posta nga pjesa tjetër e PTK-së.
Vendimi për ndarje të Postës nga PTK, është marrë pas një analize të gjatë të funksionimit të ndërmarrjeve të telekomit dhe ndërmarrjeve postare si dhe pas analizimit të funksionit të PTK-së.
Vendimi për ndarje është mbështetur nga raporti për ndarje kontabël të PTK-së, i miratuar kohë më parë nga KQP, i cili përfshinë të gjitha detajet për ndarje të biznesit të postës nga ai i telekomit në PTK, si ndarja e aseteve kurrente dhe jo-kurrente, të hyrat, shpenzimet operative, punëtorët, provizionet për shërbime, etj.
Në bazë të vendimit të sotëm, të marrë nga Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, të gjitha asetet e paluajtshme që janë në pronësi të PTK-së aktuale, do ti kalojnë Postës së Kosovës, e cila do të mbetet në pronësi publike.
Si e tillë, Posta në të ardhmen do të mund të gjenerojë të hyra të mjaftueshme për një funksionim efikas.
Përveç, të hyrave që Posta do të gjenerojë nga dhënia me qira e objekteve të saj, njësitë e telekomit do të shfrytëzojnë Postën edhe për një numër shërbimesh tjera siç janë shpërndarja, inkasimi dhe dërgimi.
Kontratat që do të nënshkruhen ndërmjet Postës dhe pjesës së tjetër të PTK-së, do të mbeten valide edhe pas privatizimit të biznesit të telekomit.
Nisur nga fakti se posta do të ofroj një numër të madh shërbimesh për pjesën e telekomit raporti për ndarje të postës definon parametrat e kontratave të ardhshme ndërmjet Postës dhe Telekomit të cilat janë bazuar në tregjet e Kosovës dhe të rajonit, e në bazë të së cilave Posta do të ketë të garantuar gjenerimin e së paku 8,2 milion eurove në vit.
Është me rëndësi të theksohet, si miratimi i një vendimi të tillë është fryt i një pune të gjatë të përbashkët të PTK-së dhe KQP-së dhe se ekziston regjistri i plotë i ndarë i aseteve dhe i si dhe stafit, të ofruara nga PTK-ja.
Po ashtu, duke ditur se ndarja e biznesit të postës dhe telekomit ka qenë synim i Qeverisë, në cilindo skenar, viti 2011 ka rezultuar me një skemë të gjerë investive në pjesën e Postës, të financuar nga korporata në përgjithësi, e investimet e tilla do të vazhdojnë deri në ndarjen finale.
Ky vendim, porsa të jenë bërë përgatitjet e duhura, do të mbështetet edhe nga një vendim i Qeverisë së Kosovës e cila në një nga takimet e ardhshme do ta themeloj ndërmarrjen e re publike të Kosovës, e cila për bazë të biznesit të saj do të ketë aktivitetet postare në Kosovë.
Ky hap i ndërmarrë nga ana e KQP-së, do të rezultojë në rritjen e atraktivitetit të shitjes së biznesit të telekomit, realizmin e kuadrit ligjor postar dhe krijimin e një kompanie me një bazë të gjerë të pasurisë së paluajtshme e cila ka një treg dhe mundësi të mira zhvillimi për një periudhë kohore.