Posta e Kosovës shpërblehet në garën ballkanike të postierëve
Prishtinë, 12 tetor Një ekip i postierëve të Postës së Kosovës ka marrë pjesë në garën ballkanike Ecja e shpejtë që është mbajtur në Turqi.Kjo është një garë sportive që organizohet çdo vit mes kompanive publike postare të shteteve të Ballkanit.
Ekipi i postierëve të Postës së Kosovës ka ndarë vendin e tretë me ekipin e postierëve nga Bosnja dhe Hercegovina.
Kjo ngjarje sportive ka për qëllim edhe rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë mes kompanive postare të rajonit.
Në margjina të garës, udhëheqës të kompanive postare kanë biseduar për sfidat me të cilat përballet shërbimi postar në shtetet e Ballkanit, në kohën e zhvillimit të hovshëm teknologjik të komunikimit.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi dhe Kryeshefi i Ekzekutiv Sejdi Hoxha kanë zhvilluar takime me homologët e tyre dhe zyrtarë tjerë të ndërmarrjeve postare të shteteve të rajonit.
Në garën Ecja e shpejtë kanë marrë pjesë shtatë shtete: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Rumania dhe Turqia si mikpritëse dhe organizatore e garës.
Ekipi nga Turqia ka fituar vendin e parë, ndërkaq ekipi nga Posta Shqiptare vendin e dytë.