Posta e Kosovës shënon 150-vjetorin e kartolinave
Prishtinë, 25 shtator - Posta e Kosovës është ftuar nga organizata globale Postcrossing që t’iu bashkohet qindra vendeve në botë për të shënuar 150-vjetorin e dërgimit të kartolinës së parë nga operatorë postarë.
Kartolina e parë është proceduar zyrtarisht nga Posta Austriake, më 1 tetor të vitit 1869, megjithëse historia e lindjes së saj daton edhe më herët.
Posta e Kosovës shënon këtë vit jubilar duke iu ofruar qytetarëve të Kosovës mundësinë për të dërguar kartolina falas në zyrat kryesore postare në shtatë qytetet më të mëdha të vendit tonë: Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
Posta fton të gjithë të interesuarit, sidomos fëmijët, që më 1 tetor 2019, të shfrytëzojnë këtë rast për të dërguar kartolina brenda dhe jashtë Kosovës, pa pagesë të shërbimit postar.
Bashkojuni kësaj ngjarjeje botërore dhe përjetoni një ndjejnë të veçantë duke dërguar mesazhe përmes kartolinave.