Posta e Kosovës dhe Posta Shqiptare lehtësojnë shitblerjen online
Prishtinë, 17 janar - Të gjitha bizneset kosovare që shesin mallra online mund të shfrytëzojnë shërbimin e ri postar që iu mundëson transportimin efikas dhe të sigurt të mallrave në shtete të ndryshme.
Kompanitë që merren me këtë biznes mund të dërgojnë mallra me peshë deri në 2 kilogramë për pako tek klientët e tyre.
Ky shërbim realizohet përmes Postës Shqiptare e cila ka mundësuar që çdo dërgesë të pajiset me kodin e gjurmimit përkatësisht me tracking number siç njihet në gjuhën angleze. Shitësit dhe blerësit mund të përcjellin dhe gjurmojnë rrugëtimin e pakove që nga momenti i blerjes online.
Ky shërbim është bërë i mundur falë gatishmërisë së Postës Shqiptare me të cilën Posta e Kosovës ka bashkëpunim të gjerë, në fusha të ndryshme.
Marrëveshja për këtë shërbim të ri është nënshkruar sot nga kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha dhe administratori i Postës Shqiptare, Laert Duraj.
“Jam i lumtur që arritëm të lansojmë edhe këtë shërbim që do të ndihmoj afarizmin e bizneseve kosovare që ofrojnë shitje të mallrave në internet. Falënderoj përzemërsisht z. Duraj dhe Postën Shqiptare qe pa asnjë hezitim ndihmuan Posten e Kosovës të jetë në hap me operatorët postarë evropian”, ka deklaruar kryeshefi Hoxha.
Ndërkaq, Duraj tha se Posta Shqiptare do të jetë gjithnjë e hapur të ndihmoj Postën e Kosovës dhe të thelloj bashkëpunimin e ndërsjellë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.