Posta dhe Dogana lehtësojnë blerjen online
Prishtinë, 21 maj - Posta e Kosovës dhe Dogana kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi që veçanërisht është e dobishme për qytetarët që blejnë mallra në internet ose pranojnë mallra nga shtetet tjera përmes shërbimit postar.
Trendi i blerjeve online nga qytetarë të Kosovës është rritur jashtëzakonisht shumë gjatë këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar. Kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna janë shprehur të kënaqur që përfituesit më të mëdhenj të kësaj marrëveshjeje janë qytetarët e Kosovës.
Të gjithë ata që presin mallra përmes dërgesave postare nuk janë më të detyruar të udhëtojnë në Aeroportin e Prishtinës dhe as në Qendrën Transite të Postës në Fushë Kosovë. Dërgesat postare dhe pagesën për taksën doganore qytetarët tash e tutje kanë mundësi ta bëjnë në zyrën më të afërt postare, kudo në Kosovë. Posta e Kosovës ka një rrejt prej 157 zyrave postare të vendosura në tërë vendin.
Posta e Kosovës e ka prioritet shërbimin sa më cilësor për qytetarët. Jemi të kënaqur që tani qytetarët do të kursejnë para dhe kohë për të marrë dërgesat me mallra që i blejnë online ose që ju dërgohen nga shtete tjera, ka thënë Hoxha, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Do jetë një lehtësi për të gjithë, klientët e Postës, por edhe për Doganën sepse puna do të kryhet shumë më shpejt, ka deklaruar Rafuna.
Marrëveshja mundëson bashkëpunimin lidhur me procedurat e zhdoganimit të dërgesave postare, ushtrimit të një kontrolli më efektiv doganor për këto dërgesa, shkëmbimin aktiv të informatave, teknikave, pajisjeve, si dhe masave tjera të nevojshme, respektivisht lehtësimin e të gjitha procedurave për pranuesit e mallrave përmes Postës.
Udhëheqësit e Postës dhe Doganës janë zotuar se bashkëpunimi mes tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte të përbashkëta që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve.