Posta blen 370 mijë euro vetura
Prishtinë, 8 shkurt - Rreth 370 mijë euro ka shpenzuar Posta e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Sejdi Hoxha, për blerjen e automjeteve zyrtare dhe të transportit.
Blerja e vetëm dy veturave zyrtare kësaj kompanie i ka kushtuar 57 mijë euro, përderisa tenderin e ka fituar kompania Allmakes Global Services në Fushë-Kosovë, ndërsa tenderin për furnizim me 10 automjete transporti me kapacitete të vogla për kryerjen e shërbimeve të mëdha në vlerë prej 114 mijë e 500 euro, e ka fituar kompania Delfin.
Kjo e fundit është shpallur fituese edhe për furnizim me 14 automjete transporti me kapacitete të mëdha, në vlerë prej rreth 195 mijë eurosh.
Përfaqësues të shoqërisë civile në vend kritikojnë drejtuesit e kompanive publike, se shpenzimet dhe paranë publike e kanë koncentruar, siç thonë ata, në rehatimin e vetvetes me luks.
Kjo së pari tregon për një logjikë të instaluar tek udhëheqësit e
institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, ku pa marrë parasysh gjendjen e përgjithshme, investimet, shpenzimet dhe paranë publike e kanë koncentruar në rehatimin e vetes me lukse të tilla, thotë për Zërin Fidan Kalaja, menaxher i programeve në Lëvizjen Fol.
Sipas tij, nuk do të kishte kurrfarë nevoje praktike që të bëhen shpenzime të tilla në momentin që ato nuk shfrytëzohen, as për qëllime operative të ndërmarrjes.
Logjika e tillë duhet të ndërpritet duke iu rikthyer mënyrave demokratike të drejtimit të këtyre ndërmarrjeve, që do të thotë që këta udhëheqës duhet të jenë llogaridhënës për punën e tyre, pohon Kalaja.
Nga ana tjetër, Argjira Grapci, ushtruese e detyrë së menaxheres për mardhënje me publikun në Postën e Kosovës, thekson se Posta e Kosovës(PK), pas ndarjes nga Postë Telekomi i Kosovës, ka trashëguar automjete të amortizuara, të zhvlerësuara deri në kufirin e rrezikimit të operimit të Postës së Kosovës, në ofrimin e shërbimeve postare që është e obliguar sipas Ligjit në fuqi në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas saj, Posta e Kosovës, me qëllim të përmbushjes së obligimeve ligjore për shpërndarje të dërgesave në tërë territorin e Republikës së Kosovës, menaxhmenti ka vlerësuar se është domosdoshmëri që të furnizohet me automjete.
Menaxhmenti i PK-së me qëllim të krijimit të infrastrukturës funksionale për ofrimin e shërbimeve postare për klientët e saj ka hartuar Planin e Biznesit 2013, në të cilin ka paraparë investimet kapitale, përfshirë këtu edhe sigurimin e flotës se automjeteve të cilat përdoren ekskluzivisht për shpërndarjen e letrave, dërgesave, pakove, thasëve, mallrave, etj.
Plani i Biznesit është aprovuar edhe nga Bordi, kurse menaxhmenti përmbush objektivat e Planit të Biznesit, sqaron Grapci, duke shtuar se përmes procedurave të rregullta të prokurimit, Posta e Kosovës ka përzgjedhur operatorët ekonomikë, të cilët i kanë përmbushur kushtet e dosjes së tenderit për furnizim me automjete pune, që do të ndikojnë në ngritjen e efikasitetit, cilësisë dhe sigurisë për ofrimin e shërbimeve për qytetaret e Republikës së Kosovës.