Policia sekuestron mbi njëqind e tridhjetë vetura të paregjistruara

Prishtinë, 13 nëntor - Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar - Njësia për Hetimin e Auto-krimeve, në bashkëpunim të plotë me Doganat e Kosovës dhe njësitë tjera policore, ka ndërmarrë një operacion të gjerë policor të quajtur “TARGAT”.
Operacioni policor është  shtrirë në tërë territorin e Kosovës dhe ka pas qëllim identifikimin e veturave të pa regjistruara, të cilat janë importuar nga shtetet evropiane e të cilat në vendin e  origjinës ishin të ç’lajmëruara, ndërkaq në vendin tonë kishin paguar vetëm sigurim të përkohshëm. 
Operacioni policor i zhvilluar nga data 15.10.2018 deri më datë 12.11.2018, ka rezultuar  me kontrollimin e një numri të madh të veturave, në mesin e të cilave janë sekuestruar 131 vetura të cilat janë dërguar në Doganat e Kosovës për vazhdim të procedurave doganore. Po ashtu janë konfiskuar edhe 2 vetura që dyshohet se janë të vjedhura. 
Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitete edhe në të ardhmen në mënyrë që  veprimet e tilla antiligjore të minimizohen, rrugët tona të jenë më të sigurta dhe të mos dëmtohet buxheti i vendit. 
 
















