Policia parandalon garen me automjete në autostradën e Kosovës
Prishtinë, 5 gusht - Njësitet Policore të komunikacionit rrugor të caktuara për mbikëqyrje të autostradës mbrëmë me datë 05.08.213 rreth orës 24, kanë arritur të parandalojë mbajtjen e një gare të paparalajmëruar automobilistike në autostradën e Kosovës Ibrahim Rugova.
Kjo garë e planifikuar nga një grup personash pritej të mbahej në kilometri e (km-52) të autostradës në të cilën ishin grumbulluar mbi (100) automjete të ndryshme udhëtarësh, kryesisht automjete të reja dhe të shpejta me qellim të zhvillimit te garave.
Për të përcjellë këtë garë automobilistike të organizuar në mënyrë të kundërligjshme, në autostradë ishin grumbulluar rreth (150) qytetar të rajoneve të ndryshme.
Zhvillimet garave të kundërligjshme me automjete janë rreptësishtë të ndaluara në bazë të ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor Nr.02/L-70, saktësisht të sanksionuara nga neni 55.4.
Në bazë të këtij neni për kundërvajtje kryerësi dënohet me gjobë prej (130) në (400) euro. Ngasësi i automjetit që vepron në kundërshtim me pikën d) të paragrafit 1 të këtij neni i shqiptohet masa e ndalimit të drejtuarit të mjetit motorik prej gjashtë muajsh deri në një vit.
Njësitet policore të komunikacionit rrugor të asistuar nga njësitet policore te stacionit të Malishevës kanë arritur të parandalojnë mbajtjen e kësaj gare dhe njëherit të largojnë automjetet nga autostrada.
Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së sigurisë së komunikacionit rrugor dhe parandalimit të veprimeve të kundërligjshme apelon tek të gjithë qytetarët, pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor, në të kundërtën do të ndërmerren masa konform ligjit ndaj çdo kundërvajtësi.