Policia me masa aktive në krijimin e një sigurie më të madhe në rrugë
Prishtinë, 7 prill - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve.
Njësitë policore, përveç pikave të kontrollit të automjeteve apo patrullimeve në lëvizje, janë duke u përqendruar në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor.
Vetëm në muajin mars 2019 gjatë implementimit të planit “Kontrolli teknik i jashtëzakonshëm”, nga njësitë policore janë shqiptuar gjithsej 290 fletëparaqitje për kundërvajtje, për të cilat është konstatuar se mjetet janë teknikisht jo në rregull.
Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, posaçërisht i drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet fatale dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor.
Po ashtu, ju njoftojmë se Policia e Kosovës në kuadër të fushëveprimit të saj ligjor që ka, do të aplikoj masa rigoroze ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.