Policia apelon për kujdes të shtuar nga pjesëmarrësit në trafik
Prishtinë, 30 korrik - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me qëllim të shtimit të masave për të rritur sigurinë në trafik, ka hartuar dhe është duke e zbatuar një plan operativ.
Plani operativ, parasheh aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik. Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës kërkon - apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor.
Sot, më 30 korrik 2019, Policia e Kosovës, në vazhdën e kërkesës për pjesëmarrësit në trafik, në bashkëpunim me operatorin e telefonisë ‘Vala' ka filluar dërgimin e një mesazhi për rreth një milion përdorues të numrave të kësaj kompanie.
Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve, të cilët do të bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut do të ndërmerr masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.