Podujeva në dy pulla postare
Prishtinë, 31 janar - Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim dy pulla postare të titulluara ”Qytetet e Kosovës - Podujeva”.
Me pamjet e këtyre pullave postare, prezantohen bukuritë e këtij qyteti të Republikës së Kosovës, i njohur edhe me emrin Besianë.
Podujeva është qytet mjaft i vjetër, që paraqet qendrën administrative të Llapit. Territori i saj shtrihet në pjesën verilindore të Kosovës, në fushëgropën e Llapit.
Podujeva nga një qytezë e vogël e krahinës së Llapit, në ditët e lirisë po shndërrohet në një qytet të bukur dhe modern, qendër me rëndësi ekonomike, arsimore, tregtare, turistike, kulturore dhe sportive.
Vegjetacioni i pasur me bukuritë natyrore, jeta e begatshme kulturore, qytetin e Podujevës e shndërruan në njërin nga destinacionet e preferuara të turistëve vendorë por dhe të atyre ndërkombëtarë.
Përmes pamjeve të pullave postare, Posta e Kosovës, do të vazhdojë promovimin e vlerave dhe bukurive që ka shteti i Kosovës.