Plaçkitet me armë zjarri pika shitëse nr.1 e PTK-së
Prishtinë, 2 shkurt - Është sulmuar dhe plaçkitur me armë zjarri, pika e shitjes së PTK-së nr.1, prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Plaçkitja ka ndodhur të hënën mbrëma rreth orës 18:25 nga dy persona të panjohur.
Plaçkitësit e armatosur kanë hyrë më forcë në objektin e PTK-së duke kërcënuar me armë fillimisht punëtorin e sigurimit dhe më pas kanë plaçkitur punëtorët e shitjes në sportele.
Me këtë rast plaçkitësit kanë grabitur një shumë prej tre mijë eurosh nga punëtorët e sportelit, ndërkohë që nuk ka pasur të lënduar.
Pas plaçkitjes së dhunshme dy personat e armatosur kanë ikur në drejtim të panjohur. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që hetimet rreth këtij rasti janë duke vazhduar.
Kjo është plaçkitja e tretë që ndodh në pikat shitëse të PTK-së brenda dy muajve të fundit. Hera e fundit ishte sulmi me armë zjarri i pikws shitëse të PTK-së në Bushat të Drenasit, me çrast persona të armatosur kanë kërcënuar punëtorët verbalisht, derisa kanë gjuajtur me revole dhe kallashnikov.
Një muaj më herët është sulmuar me armë zjarri, pika e shitjes së PTK-së nr.14 në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë. Tentim plaçkitja kishte ndodhur nga persona të panjohur, të cilët të armatosur kanë hyrë në lokalet e PTK-së dhe kanë sulmuar fizikisht punëtorin e PTK-së, i cili me këtë rast ka pësuar lëndime serioze në kokë.
PTK ka qenë muajt e fundit cak i plaçkitjeve dhe sulmeve nën kërcënimin e armëve në pikat e ndryshme të shitjes.
Me këtë rast, PTK edhe një herë kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të ndihmojnë në ruajtjen e pasurisë së PTK-së, sepse ajo është pasuri e gjithë Kosovës.
Gjithashtu, PTK kërkon nga organet kompetente për rendin dhe sigurinë që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për kapjen e personave përgjegjës të shkatërrimit dhe sulmit të radhës ndaj kësaj pasurie, duke përfshirë edhe sulmuesit e mbrëmshëm në pikën e shitjes nr.1 në kryeqytet.