Përurohet ura në Saradran të Komunës së Istogut
Istog, 3 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, bënë përurimin e urës në Saradran dhe panë nga afër punimet në asfaltimin e rrugës “Lugu i Drinit”.
Kryeministri Kurti i uroi banorët dhe i falënderoi për mikpritjen e përzemërt në këtë rast të rëndësishëm për ta dhe për zhvillimin infrastrukturor për Komunën e Istogut dhe Komunën e Pejës.
“Jam këtu bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe Kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Feratin, që ta përurojmë këtë punë të përbashkët, që ka domethënie shumë të madhe për banorët e kësaj zone, por edhe të gjithë qytetarët, të cilët tash do të mund të lëvizin edhe lirshëm edhe më shpejt dhe më mire. Andaj , gjithë banorëve dhe të gjithë qytetarëve, urime rruga e re edhe ura e re”, u shpreh kryeministri Kurti.
Përurimi i sotëm ishte në kuadër të zbatimit të projektit të titulluar “Ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe bujqësore në Komunën e Istogut dhe Pejës”, i cili përpos urës lidhëse Saradran-Ruhot parasheh edhe: Ndërtimin e rrugës “Lugu i Drinit”, me gjatësi prej 970 metra, Ndërtimin e rrugëve në Dubovë, me gjatësi prej 1.2 kilometrave, Ndërtimin e kanalit të ujitjes në Prekallë, me gjatësi prej 1.7 kilometrave dhe Rivitalizimin e pendës Saradran-Ruhot.
Projekti është në përfundim e sipër dhe pritet të finalizohet brenda muajit.