Përurohet terminali i ri i aeroportit Adem Jashari
Kryeministri Thaçi: Kosova është gati për botën, por edhe bota ka hapur dyert për Republikën e Kosovës në mënyrë meritore.
"Ndjehem tepër mirë dhe shumë krenar që sot miku im dhe kryeministri i Shqipërisë evropiane, ishte ai së bashku me Lindën , udhëtarët e parë që sot zbritën në pistën evropiane të aeroportit evropian të Republikës së Kosovës", ka theksaur ai
Sipas tij sot jemi së bashku këtu me njeriun i cili është ndër të parët në botë që e njohu Republikën e Kosovës, bile mund tiu them shumë hapur se kryeministri dhe miku Erdogan, një natë para se të shpallnim Kosovën të pavarur dhe sovrane, më ka telefonuar dhe më ka deklaruar se Turqia vendimin e ka gati, prandaj nesër do tiu shikojmë live, dhe gjatë deklarimit tuaj, populli turk dhe Turqia do ta njeh Republikën e Kosovës.
"Prandaj ju faleminderit shumë i nderuari kryeministër Erdogan për vendosmërinë tuaj por edhe në të njëjtën kohë më lejoni që tiu falënderoj edhe për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për rritjen e njohjeve për Republikën e Kosovës, dhe sot i kemi 104 njohje", ka pohuar ai.
"Sot edhe si qytetar , por edhe si kryeministër i vendit, jam shumë i emocionuar. Teksa po vizitoja para pak ditësh punimet kolosale në këtë terminal, kujtesa më ktheu në fëmijërinë dhe rininë time dhe të gjeneratës sime. Për mua dhe për gjeneratën time ky aeroport ka qenë i mbyllur. Unë vijë nga një rajon që ishte historikisht i shtypur dhe i diskriminuar. Si fëmijë, mbajë mend me shokët shpesh shikonim qiellin dhe fluturimi me aeroplan dhe vizitat jashtë Kosovës për ne ishin një ëndërr e pa arritshme", ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij shtypja dhe kushtet e vështira ekonomike detyruan gjysmën e familjes sime të migrojë jashtë vendit për të na siguruar neve që mbetëm këtu mbijetesën. Kur isha student, për shkak të angazhimit tim në përpjekjet tona për liri dhe pavarësi, u dënova në mungesë nga Serbia, dhe u detyrova që përkohësisht të migroja jashtë vendit. E kalova në këmbë kufirin Kosovë-Shqipëri shpeshherë. Dhe nga aty, për herë të parë fluturova me aeroplan për në Zvicër.
"I nderuari mik Rama, fluturimi im i parë ishte nga aeroporti i Rinasit. Fatkeqësisht, si unë, ashtu edhe qytetarë të vendit tim u detyruan të marrin rrugën e mërgimit, të shtyrë nga shtypja dhe diskriminimi, vetëm pse ishim shqiptarë ,dhe kështu vazhdoi rrugëtimi im me vite. Nga Cyrihu në Tiranë me aeroplan, dhe në këmbë maleve të bukura e të larta nga Shqipëria në Kosovë. E kam bërë dhjetëra herë këtë rrugë. Kjo ishte rruga e lirisë së Kosovës. Dhe kështu të nderuar të pranishëm jemi sot këtu", ka deklaruar ai.
Lufta e popullit tim për liri hapi dyert e këtij aeroporti për mua. Për herë të parë nga ky aeroport, që ishte një barakë, kam udhëtuar me një aeroplan ushtarak francez, nën mbrojtje amerikane dhe shteteve tjera të NATO-s, bashkë me delegacionin e Kosovës për në Rambuje në mars të vitit 1999. "Është një udhëtim që nuk do ta harroj kurë në jetën time. Lufta heroike e popullit tonë për liri solli Rambujenë. Rambujeja solli intervenimin e NATO-s. Kosova fitoi lirinë. Po drama e aeroportit të Prishtinës nuk përfundon këtu. I kemi ende të freskëta kujtimet e ditëve të para të zbarkimit të forcave të NATO-s në Kosovë. Aeroporti mbeti për një kohë i mbyllur për qytetarët, për t'i hapur dyert me 15 tetor të vitit 1999", ka thënë ai.
"Ndava me ju këto kujtime sepse ky aeroport dhe ky terminal që po përurojmë sot ka një vlerë të shtuar përtej asaj ekonomike dhe materiale. Është detyra jonë si lidership politik, dhe para së gjithash e imja si Kryeministër që këtë infrastrukturë moderne, këtë investim publiko-privat, që arrin vlerën mbi 100 milion euro, ta shndërrojmë në një mundësi të re të lidhjes së Kosovës me botën", ka theksuar ai.
Sipas tij Kosova është gati për botën, por edhe bota ka hapur dyert për Republikën e Kosovës në mënyrë meritore.
"Ta shndërrojmë Kosovën në një pikë lidere dhe qendër rajonale të aviacionit. Dhe jo vetëm kaq. Aeroporti i Prishtinës Adem Jashari edhe sot ka numrin më të madh të pasagjerëve në rajon. Është detyra ime dhe e kolegëve të mijë që të punojmë që qytetarët tanë të mund të udhëtojnë shpejt pa viza, nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës. Jo për të migruar, si unë dhe familja ime dikur, por për të marrë përvoja të reja. Për të krijuar miqësi të reja. Për të sjellë investime", ka dekalruar ai.
Duke shtuar se ndërtimi i këtij aeroporti, tregon se Kosova edhe pse vetëm gjashtë vite shtet, me 104 njohje ndërkombëtare, është një vend i ri, është një shtet i mundësive të mëdha, i mundësive të reja, i mundësive evropiane.
"Ne bashkërisht të gjithë, po e shndërrojmë Kosovën në një kantier ndërtimi. Sot një muaj ne gjithashtu do të përurojmë autostradën më të mirë në rajon, punimet që do të përmbyllen përtej kryeqytetit të Republikës së Kosovës, Prishtinës", ka pohuar ai.
Duke shtuar se kështu të gjithë së bashku po e ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, po e ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona, Kosovën evropiane.
"Dhe për tu kthyer sërish në Kosovë, në këtë rrugëtim tonin global, përmes aeroportit që me krenari mbanë emrin e komandantit Adem Jasharit, që është vet sinonimi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës", ka theksaur ai.
Ndërsa, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se shpreson që kjo ndërtesë të jetë në shfrytëzim të gjithë kosovarëve duke e përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi për kontributin e dhënë për ndërtimin e një aeroporti kaq të bukur.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ky aeroport nuk mund të kishte një emër më të goditur se sa emri i njeriut që mban tani, Adem Jashari.