Përurohet rruga që bashkon shqiptarët
Deçan, 25 shtator - Përurimi i rrugës 20 kilometërshe Deçan-Plavë nga sot hap një faqe e re të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe shfrytëzimit të potencialit të jashtëzakonshëm turistik të Alpeve shqiptare, kështu ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka marrë pjesë sot në përurimin e fillimit të punimeve në rrugën Deçan-Plavë.
Thaçi ka thënë se është një kënaqësi e veçantë për të gjithë njerëzit që janë mbledhur këtu, në këtë pjesë të Republikës së Kosovës, sepse po fillon ndërtimi i rrugës, që ka qenë ëndërr historike e qytetarëve, që të lidhen këto treva, të lidhet Deçani me Plavën. Ky është një projekt në vazhdimësi të projekteve që i kemi përmbyllur dhe që janë duke vazhduar, në lidhjen e korridoreve, ku jetojnë shqiptarët, ka theksuar kryeministri Thaçi, duke shtuar:
Sikur autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë, pastaj autostrada Prishtinë-Shkup, edhe kjo rrugë lidh shqiptarët që jetojnë në Plavë, me shqiptarët që jetojnë në Republikën e Kosovës, është shprehur Thaçi.
Thaçi më tutje ka theksuar se me realizimin e këtij projekti, shqiptarët janë edhe më të lidhur me njëri-tjetrin, edhe më të bashkuar. Kam besim të plotë se kjo rrugë 20 kilometërshe, do të përmbyllet në një afat rekord dhe për këtë uroj autoritetet komunale, qytetarët e Republikës së Kosovës, gjithë bashkëkombësit tonë në Plavë, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka shprehur besimin e plotë që distanca e afërt gjeografike, që ishte e gjatë në kuptimin kohor, tani do të shkurtohet dhe natyrisht do të ketë lëvizje më të lehtë të njerëzve dhe mallrave. Kjo pjesë e rrugës do të jetë atraktive për turizëm dhe për aktivitete tjera. Kjo do ti avancojë edhe marrëdhëniet tona ndërshtetërore me Malin e Zi, ka thënë Thaçi.
Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj ka vlerësuar përurimin e kësaj rruge si një ngjarje të veçantë me karakter nacional. Për komunën e Deçanit ky është projekti më i rëndësishëm në historinë e kësaj komune. Ky projekt do të krijojë perspektivë për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë, për shkak të lokacionit, ka deklaruar Selmanaj.
Kryetari i komunës së Deçanit, Selmanaj ka shprehur falënderimin për kryeministrin Thaçi dhe për Qeverinë e Kosovës për përkushtimin që ky projekt të ndodh. Kryetari i komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviq, ka thënë se shpreson që ky do të jetë një mësim i mirë për Malin e Zi, që të nisin punimet edhe në pjesën e rrugës nga Plava për në Deçan. Shpresojmë që shpejt të jemi sërish bashkë në hapjen e kësaj rruge, ka thënë Shahmanoviq.
Ndërtimi i rrugës Lloçan-Kozhnjar fillon prej qendrës së Lloçanit ka gjatësinë prej 4 kilometra dhe 57 metra, është segmenti i parë dhe ka koston prej 1 milion e 36 mijë euro.